Lidhje

Shqipëri: Gjoni nuk është dakort me Metën - 2002-01-08


Përpjekja e re antikorrupsion e kryeministrit Meta e nisur me lëvizjen e djeshme konkrete të shkarkimit të disa funksionarëve shtetëror të përfshirë në tenderin e pasaportave, duket se po rrezikon të kthehet në një bumerang.

Ministri i Rendit Ilir Gjoni tha sot se korrupsioni duhet të luftohet ashtu sic duhet dhe jo të hidhen hije apo të mbulohet e vërteta: “Cfarë po bëhet me procesin e nisur nga kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano? Jam dakort dhe do të kontribuoj që rasti i tenderit të zbardhet nga Prokuroria, por zoti Nano, mesa mbaj mend ka folur për mjaft gjëra të tjera për të cilat nuk shoh se ka ndodnjë përpjekje për transparencë. Pikërisht këtu qëndron dhe shqetësimi im – tha zoti Gjoni – A do të vazhdohet të abuzohet politikisht për të hapur fronte të tjera nga ato të vërtetat?”

Cështja e tenderit të pasaportave u rikthye në skenë pak ditë më parë kur Ministri i Shtetit, Ndre Legisi njoftoi se kryeministri i ka kërkuar Ministrit të Rendit që të zbatojë masat e propozuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkeljet që janë konstatuar. Zoti Gjoni tha se këto deklarime të urdhëruara të Ministrit të Shtetit ishin bërë në një kohë kur ai s’kishte dijeni dhe kur shkresa e kryeministrit ka mbërritur vetëm dje në institucionin që ai drejton. Zoti Gjoni e quajti këtë një nxitim disi të dyshimtë dhe të pajustifikuar. Ai deklaroi se as kryeministri dhe as Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk janë kompetentë për të vendosur nëse dikush është fajtor apo jo, aq më tepër kur është kërkuar që cështja t’i kalojë Prokurorisë.

Si Ministri Gjoni ashtu dhe zëvendesi i tij Bujar Himci, i cili është ngarkuar me përgjegjësi nga Kontrolli i Shtetit, shprehën rezerva ndaj konkluzioneve të këtij organi. Ata shpjeguan se në muajin tetor Kontrolli i Shtetit nuk kishte konstatuar parregullsi serioze në tenderin e pasaportave, ndërsa në muajin dhjetor deklaruan se bëhej fjalë për një dëm ekonomik prej 285 mijë dollarësh. Ministri Gjoni kujtoi se kjo periudhë përkonte me acarimin e klimës politike në vend, duke iu referuar kështu shpërthimit të konfliktit mes kryeministrit Meta dhe kryetarit të partisë Socialiste Fatos Nano.

Ministri Gjoni e cilësoi sulmin ndaj ministrisë së tij si “një ngjarje të orkestruar për qëllime të tjera” në një kohë kur puna e policisë sic tha ai po merr vlerësime edhe ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG