Lidhje

Shtohet trysnia për arritjen e një kompromisi në Kosovë - 2002-01-09


Mbledhja e nesërme e Kuvendit të Kosovës duket se do t’i gjejë sërish partitë politike shqiptare pa një marrëveshje paraprake, mungesa e së cilës deri tash ka pamundësuar krijimin e institucioneve të vetqeverisjes së përkohshme. Një ditë para kësaj mbledhjeje autoritetet ndërkombëtare në Kosovë po u bëjnë thirrje përfaqësuesve politik që të bien dakord për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe të institucineve të tjera që do të conin përpara procesin e bartjes së pushtetit nga Misioni i Kombeve të Bashkuara tek autoritetet vendore.

Ushtruesi i detyrës së administratorit të Kombeve të Bashkuara Charles Brayshaw nëpërmjet një komunikate për opinion ka theksuar se mbledhja e nesërme e kuvendit duhet të shënojë një hap të ri në procesin e vendosjes së një vetëqeverisjeje thelbësore dhe të mirëfilltë për Kosovën. Zëdhënësja e misionit Susan Manuel citoi shefin e saj të ketë thënë se administrata mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi ndërsa bashkësia ndërkombëtare cmon përpjekjet e partive politike gjatë disa javëve të shkuara për krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë. “UNMIK-u bënë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të vazhdojnë me përpjekjet e tilla të cilat do të dëshmonin para bashkësisë ndërkombëtare përkushtimin e tyre ndaj proceseve demokratike dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes”, tha zonja Manuel. UNMIK-u nënvizon se zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe emërimi i kryeministrit që do të krijojë qeverinë, janë hapa shumë të rëndësishëm për Kosovën.

Mbledhja e nesërme e Kuvendit të Kosovës ka në rend dite zgjedhjen e presidentit i cili duhet të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Ndërsa në raundin e tretë ai mund të zgjidhet me gjithsejt 61 vota, apo siq thuhet zakonisht, me shumicën e thjeshtë parlamentare. Gjykuar nga rrjedha e deritashme e bisedimeve ndërmjet tri partive kryesore politike shqiptare kandidati i Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova vështirë se do të sigurojë numër të mjaftueshëm votash edhe për raundin e tretë ndërsa këtë mund ta bëjë vetëm në rast se siguron votat e pakicave kombëtare. Zyrtarët ndërkombëtarë thanë se procedura e votimeve do të jetë e fshehtë dhe do të jetë e pamundur për publikun që të mësojë se kush për kë ka votuar.

XS
SM
MD
LG