Lidhje

PS diskuton planin e referendumit të propozuar nga Nano - 2002-01-10


Pasi kanë sulmuar, kritikuar dhe janë ndeshur me njëri tjetrin për javë të tëra, pasi kanë dhënë dhe propozuar variante të ndryshme për daljen nga kriza në të cilën janë mbërthyer dy figurat kryesore të partisë, sot socialistët po shqyrtojnë konkretisht në kryesinë e tyre propozimin e kryetarit Nano për thirrjen e një referendumi brenda partisë: një operacion politik i papërdorur ndonjëherë në skenën politike shqiptare, por që sipas zotit Nano do të mund t’i japë zgjidhje konfliktit.

Kryetari i partisë socialiste ka hartuar një platformë të këtij referendumi i cili përmblidhet në 6 pika, mes të cilave edhe ajo e propozimit të kryeministrit nga kryetari i partisë, apo caktimi i kandidatit socialist për president nga baza e partisë.

Nga ana e tij kryeministri Meta, i cili kishte kërkuar thirrjen e një kongresi në Janar, duket se u pajtua me idenë e referendumit, ndoshta për shkak të faktit se edhe nëse kjo lëvizje e zotit Nano pengohej në forumet drejtuese kryetari i partisë sërish mund ta realizonte atë duke mbledhur firmat e një të tretës së anëtarësisë socialiste. Por duke e pranuar indirekt idenë e zotit Nano, kryeministri kërkoi që në referendum të përfshihet edhe votbesimi i tij në postin e kreut të Qeverisë. Një lëvizje e cila nuk pritet aspak ta fashisë debatin dhe konfliktin me kryetarin e partisë. Perkundrazi. Në fjalën e tij në kryesi, zoti Nano e kundërshtoi atë, duke kërkuar që “cështjet institucionale të mos përzihen me emra të përvecëm”

Në këtë mënyrë, duke patur paraysh edhe klimën që i ka paraprirë kësaj mbledhjeje është lehtësisht e kuptueshme se nuk ka shumë hapësira për të parashikuar një zbutje tonesh në partinë socialiste.

XS
SM
MD
LG