Lidhje

Kosova përsëri pa president - 2002-01-10


Partitë politike shqiptare kanë kritikuar njëra tjetrën për rjedhën e mbledhjes së tretë të Kuvendit të Kosovës në të cilën deputetët nuk arritën ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kandidati i vetëm për këtë post, kryetari i Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova, në të dy raundet e sotme të votimeve nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave. Pas përfundimit të seancës së sotme ai tha se kjo ishte pasojë e bojkotimit të procesit të votimeve nga një numër i deputetëve. “Për fat të keq kemi disa grupe parlamentare apo parti që defakto e kanë bojkotuar votimin dhe ata duhet të votojnë si deputet. Dhe tash do të shikojmë se cfarë do të bëjmë në të ardhmen. Ne duhet të mësohemi me jetën demokratike dhe të pranojmë rezultatet e zgjedhjeve dhe të ecim tutje”.

Këmbëngulja e deputetëve të Lidhjes Demokratike që të shkohet në dy raunde votimesh pavarësisht nga mungesa e një marrëveshjeje paraprake politike është kritikuar ndërkaq nga partnerët e saj politik Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Fatmir Limaj sekretar për marrëdhënie publike i Partisë Demokratike tha se mënyra e votimit për presidentin e Kosovës nuk ka të bëjë me demokracinë. Ndërkaq përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se janë të paqëndrueshme pohimet se partnerët politik të Lidhjes Demokratike po bllokojnë procesin e zgjedhjes së institucioneve. Bajram Kosumi nënkryetar i kësaj partie tha se është koha që partia më e madhe të ndërrojë kandidatin e saj për postin e presidentit.

Mirëpo, procedura e mëtejshme nuk është paraparë me dokumentat ekzistuese dhe sipas disa vëzhguesve kjo mund të krijojë një zbraztësirë juridike. Përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara thanë se procesi I votimeve mund të përsëritet për një kohë të gjatë nëse partitë politike nuk merren vesh ndërmjet tyre për të vepruar ndryshe.

Ditët e ardhshme pritet të kalojnë në shenjë të diskutimeve mbi situatën e krijuar pas dështimit të procesit të zgjedhjes së presidentit dhe rrjedhimisht edhe institucioneve të tjera të Kosovës dhe nëse partitë politike do të shfrytëzojnë këtë gjendje për të rifilluar procesin e kërkimit të rrugëve për arritjen e një kompromisi.

XS
SM
MD
LG