Lidhje

Shqipëri - kriza më e thellë energjetike e këtyre viteve (12 janar) - 2002-01-12


Shqipëria po provon krizën më të thellë energjike të viteve të fundit. Qeveria shqiptare u kërkoi sot industrive prodhuese ta kufizojnë ose ta pezullojnë aktivitetin e tyre. Ministri i Shtetit për Energjitikën tha se vendi ka një rezervë energjie prej 80 milion kilovat orë, ose mundësi furnizimi për jo më shumë se një javë. Për këtë arsye qeveria po përpiqet shtojë kufizimet e energjisë dhe të rrisë nivelin e importimit të saj.

Ditët e fundit Shqipëria ka vazhduar kursin e saj drejt një gjendje katastrofike energjitike. Burimet ujore që mbajnë peshën dërrmuese të furnizimit janë shumë të pakta për shkak të ngricave, importet janë ulur pasi, sipas Korporatës Energjitike Shqiptare, në gjendje të vështirë janë edhe shtetet e tjera. Moti i keq ka shkaktuar edhe dëme në linjat ndërkombëtare. Sipas ministrit të Shtetit për Energjitikën, Dritan Prifti, kjo është situata më e keqe e viteve të fundit. “Sot jemi ne një krizë të thellë energjitike, në një krizë të thellë furnizimi, kur jemi të detyruar të rrisim kufizimet për konsumatrorët shqiptarë, për disa kategori të tyre”, tha zoti Prifti.

Mbledhja e djeshme e komitetit ndërministror ka vendosur t’u kërkojë industrive të vendit që të kufizojne ose të pezullojnë aktivitetin e tyre të paktën për një javë. “Mbledhja vendosi që këtë herë – tha zoti Prifti - barra e kufizimeve të mos bjerë mbi konsumatorët familjarë, por të kërkohet mirëkuptim të industritë e mëdha e të mesme për të ulur ngarkesën ose për të ndaluar prodhimin.”

Aktualisht konsumi ditor i energjisë është rreth 17 milion kilovat orë, dhe, që dje, ai është ulur, nëpërmjet kufizimeve në 15 milion. Ndërsa rezervat e hidrocentraleve nuk janë më shumë se 80 milion, pra, jo më shumë se për një javë furnizimi. Ministri i Shtetit, Dritan Prifti, deklaroi se kjo rezervë është strategjike për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare e cila po përpiqet të rrisë importet. Sipas zotit Prifti po bëhen tratativa me Bullagrinë dhe Rumaninë.

Po edhe sikur të rriten importet nëse nuk do të ketë një ngritje të temperaturave për të lejuar shkrirjen e borës, gjendja do të vijë duke u përkeqësuar akoma më shumë. Aktualisht kufizimet në furnizimin e popullatës në të gjithë vendin shkojnë mesatarisht 10 orë në ditë. Por kjo duket se kjo vlen vetëm për kryeqytetin, pasi pjesët e tjera të vendit, përjashto verilindjen, janë pothuajse në errësirë totale gjatë gjithë ditës.

XS
SM
MD
LG