Lidhje

Kosovë - vazhdojnë bisedimet për marrëveshje (12 janar) - 2002-01-12


Në Kosovë vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë. Udhëheqësit e tri partive kryesore politike shqiptare në Kosovë dhe përfaqësuesit e pakicave që marrin pjesë në parlament u takuan sot në zyrën amerikane në Prishtinë në përpjekje për të rifilluar procesin e bisedimeve për ndërtimin e institucioneve të vetëqeverisjes. Edhe pse nuk ka ende një marrëveshje konkrete, pjesëmarrësit në bisedime thanë se ka patur nisma të reja që do të mundësonin zgjedhjen e institucioneve.

Me nismën e shefit të zyrës amerikane në Prishtinë, ambasadorit John Menzies, sot në selinë e tij u takuan udhëheqësit e tri partive kryesore politike shqiptare dhe përfaqësuesit e pakicave që marrin pjesë në parlament, në përpjekje për të rifilluar procesin e bisedimeve për ndërtimin e institucioneve të vetëqeverisjes. Ndonëse nuk është shënuar ndonjë rezultat, në bisedimet e sotme ka pasur nisma të reja në funksion të zgjedhjes së institucioneve qeverisëse. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, tha pas takimit se është diskutuar kryesisht për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. “Shumica e bashkëbiseduesve ishin të pajtimit se duhet të angazhohemi të gjithë që të zgjedhim këto institucione. Natyrisht se diçka më konkrete nuk është biseduar. Ne, si Lidhje Demokratike, tha zoti Rugova, mbesim në qëndrimet e më parshme që i kemi ofruar për një bashkëpunim, që të votojnë delegatët, të marrin pjesë në votim të gjitha grupet politike dhe të gjithë deputetët e parlamentit të Kosovës.”

Nga ana e tij zoti Fatmir Limaj, sekretar për marrdhënie publike i Partisë Demokratike, tha se përfaqësuesit e kësaj partie paraqitën një propozim të ri për tejkalimin e situatës së tashme politike. ”Duke parë gjendjen e tashme dhe situatën në të cilën ndodhet i tërë procesi, nevojën e bashkëpunimit dhe të ndërtimit të një marrëveshje të përbashkët si dhe dëshirën e vet qytetarëve të Kosovës, Partija Demokratike përfundimisht i ka ofruar edhe një rast Lidhjes Demokratike me qëllim të zhbllokimit të procesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Në këtë drejtim, tha zoti Limaj, partia jonë ka bërë një kompromis në kuptimin që Lidhjes Demokratike i është ofruar rasti të ketë Presidentin e Kosovës, por edhe kryetarin e Kuvendit ndërsa Partisë Demokratike i takon posti i kryeministrit.”

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i vlerësoi ”pozitive” bisedimet e sotme në zyrën Amerikane, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve më me ndikim që kanë zyrat e tyre në Kosovë. Ai tha se partia e dytë për nga numri i vendeve në parlament, sot doli me propozim konkret.”

”Nga takimi i sotëm, tha zoti Haradinaj mund të dilet në përfundim se Partia Demokratike ka ofruar të udhëheqë qeverinë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hequr dorë nga kërkesa që të kemi njërin nga tre postet kryesore, meqenëse kryetari i Parlamentit të Kosovës është zgjedhur tashmë. Në këtë kuadër kemi përkrahur arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje që do të thotë, shtoi zoti Haradinaj, se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i jepte përkrahje qeverisë dhe institucioneve të dalura pas një marrëveshje mbi realitetin e krijuar aktualisht.”

Sidoqoftë, këtë herë partitë politike shqiptare konkretizuan më tej kërkesat e tyre për ndarjen e pushtetit dhe kjo, sipas vëzhguesve, shton shpresat për tejkalimin e asaj që përfaqësuesit vendor e quajnë krizë parlamentare, ndërsa zyrtarët ndërkombëtarë dramë që duhet tejkaluar.

XS
SM
MD
LG