Lidhje

OKB: Shqipëri mblidh armët (13 janar) - 2002-01-13


Kombet e Bashkuara i kërkuan Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për grumbullimin e armëve të paligjshme dhe vënien e tyre nën kontroll, megjithë rezultatet e deritanishme. Zyrtarë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) pohuan në Tiranë se prania e armëve përbën ende rrezik për stabilitetin e rendit publik dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ata u shprehën se Shqipëria ka ene shumë për të bërë në zgjidhjen e këtij problemi kombëtar.

Përfaqësuesja e UNDP në Shqipëri, Anna Stjarnerklint, thotë gjatë një konference të posaçme për këtë çështje se për të ulur rrezikun e armëve është e nevojshme të trajtohen arësyet që shtyjnë njerëzit për t’i mbajtur ato. “Ndihma ndërkombëtare për Shqipërinë - tha jo - nuk do të mungojë, por për të patur rezultate afatgjata, duhet që pakësimi i armëve të shoqërohet me kontrollin e tyre.”

“Qëllimi i programeve për Shqipërinë në fushën e sigurisë njerëzore - thotë znj. Stjarnerklint - është të mbështesë përpjekjet për më shumë siguri, si një element kyç për uljen e varfërisë, përmes politikave, institucioneve dhe praktikave që do të sjellin më shumë zhvillim në këtë fushë”.

Shefja e UNDP në Shqipëri tha se zyra e saj e sheh si një sfidë punën për më shumë siguri njerëzore nga një këndvështrim shqiptar. Për ta arritur këtë, sipas saj, më parë duhen gjetur e studiuar elemente specifike të realitetit shqiptar sa i takon sigurisë. Ajo mendon se është e rëndësishme që njerëzve t’u kthehet besimi me një seri masash ekonomike e politike, në mënyrë që kontrolli mbi armët e paligjshme të jetë më i lehtë.

Ndërsa zyrtarët shqiptarë thonë se autoritetet policore kanë arritur të mbledhin dhe asgjësojnë një numër të konsiderueshëm armatimi që u rrëmbye 4 vjet më parë nga depot ushtarake. Zv.kryeministri Skënder Gjinushi, thotë se policia është duke kaluar nga grumbullimi vullnetar i armëve në kontrollin e tyre si një fazë përfundimtare.

“Vlerësohet se shumica dërrmuese e armëve ëstëbledhur, larguar, eleminuar apo konsumuar. Mbi 90 për qind e popullatës kanë lëshuartashmë deklarata personale për mos posedim armatimi nga ana e tyre, cka e bën juridikisht të paefektshëm vazhdimin e dorëzimit vullnetar” - thotë zoti Gjinushi.

Katër vjet pas trazirave të dhunshme të vitit 97 forcat e rendit po përpiqen të grumbullojnë në mënyrë vullnetare apo me kontrolle të ndryshme një pjesë prej qindra mijëra armëve e municioneve që ranë në duart e civilëve gjatë sulmeve mbi depot ushtarake. Vëzhguesit pohojnë se mbledhja e armëve në Shqipëri është dhe ka për të qenë një nga proceset më të vështira e më afatgjata.

XS
SM
MD
LG