Lidhje

Shenja të reja për zbulimin e Alzajmerit - 2002-01-14


Pamjet e reja të cilat tregojnë pulla dhe mpleksje që mbështjellin trurin e një të prekuri me alzajmer, mund të jenë një zbulim i madh në diagnostikimin e kësaj sëmundje shkatërruese. Shkencëtarët në Universitetit e Kalifornisë në Los Anxhelos kanë zhvilluar një mënyrë të re për dallimin e ndryshimeve në tru para se të shfaqen simptomat e sëmundjes shkatërruese. Kërkuesi kryesor, doktor Jorge Barrio, thotë se kjo mund të revolucionarizojë mënyrën e mjekimit të pacientëve me alzajmer, duke i lejuar mjekët të shkojnë drejt te dëmtimi pa pritur për shfaqjen e shenjave. Gjatë analizave, një kimikat i ri i quajtur FDDNP, i cili kërkon për depozitime jo normale në tru, i injektohet pacientit. Më pas pacienti hyn në skanerin PET apo tomografia e lëshimit të pozitroneve, e cila tregon se ku është akumuluar kimikati dhe rrjedhimisht pullat dhe mpleksjet në tru. Teknika është ende në procesin e provave klinike, por përfitimet e mundshme për ata që vuajnë nga alzajmeri janë të mëdha. Trajtimi më i hershëm rrit mundësinë e një trajtimi të sukseshëm dhe ndoshta edhe të gjetjes e kurës. Sëmundjet që lidhen me demencën prekin rreth 30 përqind të njerëzve mbi moshën 80 vjeç. Sëmundja alzajmer, e cila pothuajse është vdekjeprurëse dhe nuk ka ndonjë kurë, prek mbi 4 milionë amerikanë dhe miliona të tjerë në botë. Doktor Barrio shpreson se ky zbulim do çojë në mënyra të reja të trajtimit dhe mundësisht edhe në gjetjen e kurës. Ai gjithashtu planifikon të punojë me pacientë të moshuar për të identifikuar dhe skanuar ata që paraqesin rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjes alzajmer duke trajtuar vetëm këtë kategori njerëzish.

XS
SM
MD
LG