Lidhje

Vetëm fillimi - 2002-01-14


“Nuk do të epem, nuk do të pushoj, nuk do të gjej qetësi pa çuar deri në fund luftën për lirinë dhe sigurimin e popullit amerikan.” Ky është zotimi i presidentit George W. Bush pas sulmeve të terroristëve më 11 shtator ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë dhe Pentagonit. Kjo do të thotë se përparësia kryesore e Shteteve të Bashkuara është çrrënjosja e terrorizmit ndërkombëtar. Lufta që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi kundër al-Qaidës dhe mbështetësve të saj talebanë në Afganistan, është vetëm hapi i parë. Shihet qartë se kjo luftë është zhvilluar me sukses. Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e luajtur në dëbimin e regjimit totalitar dhe partnerëve të tij terroristë nga Afganistani. Siç është shprehur presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara ndjehen krenare që udhëhoqën koalicionin, i cili çliroi gratë dhe fëmijët, që rrëzoi një qeveri e cila ishte jashtëzakonsisht shtypëse, saqë ata të cilët jetojnë në Amerikë, e kanë të vështirë ta marrin me mend. “Jam krenar për faktin”, tha presidenti Bush, “se në të njëjtën kohë që ne luftonim kundër al-Qaidës dhe Talebanit, kemi ushqyer popullin e Afganistanit. Ndërsa hidhnim bomba, kemi hedhur nga ajri gjithashtu ushqime, ilaçe dhe rroba për të marrë masa që njerëzit e pafajshëm në Afganistan të mund të përballonin dimrin e egër. Në kujtesën time deri tani lidhur me ngjarjet e luftës kundër terrorit”, tha presidenti Bush, “është ngulitur gëzimi që shprehej në fytyrat e njerëzve kur ata e kuptuan se talebanët nuk mund t’i mbanin më peng të një pikëpamjeje të vjetëruar, demode dhe diktatoriale. Tashti që Afganistani është çliruar, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojmë me zbatimin e politikës së tyre për mposhtjen e terrorizmit diku tjetër. Shtetet e Bashkuara nuk do t’u bëjnë lëshime terroristëve. Shtetet e Bashkuara do t’i sjellin terroristët para drejtësisë. Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë vendet që kanë dëshirë të luftojnë terrorizmin. Dhe Shtetet e Bashkuara do të izolojnë e do t’i trajtojnë siç e meritojnë vendet që mbështesin terrorizmin. Askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo fushatë. Por, siç u shpreh presidenti Bush, “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet ta gjejnë terrorin ku ekziston, dhe ta shkulin nga rrënjët. Terrori është vepër e djallit, dhe djalli, kudo që të ndodhet, vendet e lira të botës duhet të bashkohen në një koalicion masiv dhe të thonë: "Terrori nuk ka vend". Kjo është një luftë e së mirës kundër së keqes. Dhe, pa asnjë dyshim, e mira do të triumfojë”. Al-Qaida dhe mbështetësit e saj talebanë u dërmuan në Afganistan, po ky është vetëm fillimi i fundit të terrorizmit. Mesazhi për terroristët e tjerë në mbarë botën është: Tani ju ka ardhur radha juve.

XS
SM
MD
LG