Lidhje

Alain Le Roy takon të afërm të të zhdukurve - 2002-01-15


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Alain Le Roy, i cili është kthyer në Shkup pas pushimeve dhe festave takoi dje anëtarët e familjeve të maqedonasve të zhdukur. Familjet maqedonase nga rrethina e Tetovës vazhdojnë të mbeten në një nga dhomat e ndërtesës së parlamentit republikan në pritje që të mësojnë më shumë për 12 të zhdukurit nga fundi i konfliktit të armatosur në vend.

Alain Le Roy tha se për secilin rast veç e veç diheshin rrethanat e zhdukjes por nuk diheshin hollësi. Nuk dihet për fatin e tyre, por ka disa gjurmë, theksoi zoti Le Roy, lidhur me këtë çështje. ”Deri tash, tha i dërguari i BE-së, Le Roy, nuk dihet se ku janë të zhdukurit dhe nëse ata janë gjallë apo të vrarë dhe se ku mund të ishin trupat e tyre.” Ai tha se do të punohet gjatë javëve që vijnë dhe do të ushtrohet trysni për të gjetur njoftime konkrete.

Siç dihet, autoritetet shtetërore kanë akuzuar ish-UÇK-ënë për zhdukjen e 12 maqedonasve. Ish-luftëtarët shqiptarë nga ana tjetër kanë hedhur poshtë çdo lidhshmëri me këta civilë të zhdukur dhe kanë ofruar bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare në hetimet për gjetjen e tyre.

Nga zhvillimet e tjera, presidenti maqedonas Boris Trajkovski ka realizuar dje një takim me kryetarin e PDSH-së, Arbën Xhaferi, duke e përmbyllur kështu ciklin e takimeve me katër drejtuesit e partive më të mëdha në parlament. Nuk dihen hollësi të takimit sikudër që nuk dihet shumë as për takimet me kryetarët e tri partive të tjera, PPD, LSD dhe VMRO-DPMNE. Takimet janë mbajtur në fshehtësi për mediumet dhe për opinionin publik.

Ndërkaq kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Stojan Andov ka thënë dje se "nuk ka përse të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pa u përmbushur më parë detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit". Ai u bëri thirrje drejtuesve partiakë, nënshkrues të marrëveshjes, se duhet të mblidhen për të diskutuar mbi dilemën nëse zotimet duhen realizuar tash apo pas zgjedhjeve parlamentare.

Stojan Andov la të kuptohej se deri më tash asnjë parti politike nuk ka shtruar kërkesë zyrtare për zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, sot në Shkup pritet të vijë sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson. Zyrtarët shtetërorë maqedonas, siç është paralajmëruar, do të kërkojnë zbatimin e plotë të planit për kthimin e forcave policore në ish-rajonet e krizës, si dhe do të kërkojnëmbajtjen e konferencës së dhuruesve për Maqedoninë. Siç dihet, kusht për mbajtjen e kësaj konference ndërkombëtare është miratimi i ligjit për vetadministrim lokal.

XS
SM
MD
LG