Lidhje

Pakistani merr masa kundër terrorizmit - 2002-01-15


Presidenti pakistanez, Pervez Musharraf, është zotuar të marrë masa ndaj çdo grupi apo individi pakistanez të përfshirë në veprimtari terroriste. Në një fjalim më 12 janar, presidenti Musharraf tha se zgjidhja e çështjes së Kashmirit dhe çështjeve të tjera varet nga mjetet paqësore dhe dialogu. Ai tha se asnjë grup pakistanez nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtari terroriste duke përdorur si argument çështjen e Kashmirit.

Presidenti George W. Bush e priti mirë, “vendimin e patundur”, siç u shpreh ai, të presidentit Musharraf që të marrë masa kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Ndërmjet masave të tjera, presidenti Musharraf njoftoi se ai ka nxjerrë jashtë ligjit dy grupe terroriste të akuzuara se kanë marrë pjesë në sulmin e muajit të fundit ndaj parlamentit indian. Ata janë Lashkar-e-Tayibah dhe Jaish-e-Muhammed. Më parë Pakistani kishte arrestuar udhëheqësit e të dy grupeve, sëbashku me një numër personash të tjerë të dyshuar si terroristë. Për më tepër, gjatë këtyre ditëve të fundit qindra të tjerë janë arrestuar.

Presidenit Musharraf u zotua gjithashtu të merrte masa ndaj mijëra medreseve në Pakistan. Medresetë janë shkolla të financuara privatisht, ku, në disa raste, djemve u mësohet një variant ekstremist i fesë myslimane dhe pak nga gjërat e tjera. Shumë prej djemve që mësojnë në medrese vijnë nga familjet e varfëra që nuk kanë para t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat publike, të cilat nuk mbështeten si duhet nga qeveria.

Ndryshe nga shkollat publike në Pakistan, shumë medrese nuk u japin rëndësi lëndëve të tilla, si matematika dhe shkenca. Madje në disa prej tyre, edhe ajo pak njohuri që u jepet djemve lidhur me çështjet bashkëkohore dhe historinë, shtrembërohet përmes një interpretimi ektremist. Këto medrese kanë në programin mësimor gënjeshtra të mbushura me urrejtje për Shtetet e Bashkuara, Israelin dhe Indinë.

Nuk është befasuese, që disa nxënës që kanë mësuar në medresetë e Pakistanit, janë bërë terroristë apo pëkrahës të terroristëve. Në këtë kontigjent përfshihen shumë anëtarë të regjimit të përmbysur taleban, i cili strehoi Osama bin Ladenin dhe terroristë të tjerë të al-Qaidës në Afganistan. Në të vërtetë, fjala taleban do të thotë nxënës.

Asnjë shkollë, qoftë në Pakistan apo gjetkë, nuk duhet t’u mësojë nxënësve të urrejnë. Qeveria pakistaneze është shprehur se kërkon të sigurojë mbështetjen e duhur për shkollat publike të vendit dhe të vendosë standarte të arësyeshme për shkollat private, përfshirë medresetë. Shtetet e Bashkuara po i sigurojnë Pakistanit ndihma për realizimin e këtij objektivi. Asnjë fëmijë nuk duhet të dërgohet në një shkollë, e cila i shërben edukimit të tyre si terroristë.

XS
SM
MD
LG