Lidhje

Meta jep sinjalin për uljen e toneve - 2002-01-15


Pas javësh të tëra debatesh dhe sulmesh reciproke mes dy figurave kryesore të partisë socialiste, kryetarit Fatos Nano dhe kryeministrit Ilir Meta, sot u dhanë sinjalet e para të uljes së toneve. Kryeministri Meta I cili gjatë gjithë kësaj periudhe kishte mbajtur një qëndrim të prerë, vecanërisht pas doreheqjeve të tre ministrave të tij më të rëndësishëm, që kishte kërkuar pa sukses mbajtjen e një kongresi në janar apo dhe përfshirjen e votbesimit të tij në referendum, sot i kërkoi kryetarit Nano gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. Ai u shpreh se duhet hequr dore nga kokëfortësia dhe krenaria të cilat nuk kanë vlerë tha ai përballë interesave të vendit. Zoti Meta deklaroi se për gjendjen e krijuar përgjegjësia kryesore bie me atë vetë si kryeministër dhe kryetarin e partisë.

Kryeministri u paraqit sot shumë afër kërkesave të zotit Nano për përfshirjen në strukturat drejtuese të përfaqësuesve nga dy grupimet madje pranoi edhe rikompozimin e qeverisë megjithëse ishte shprehur që në mars do të përgatiste ligjin për strukturën e ekzekutivit. Ai e bëri të qartë se një rikompozim i qeverisë me konsensus dhe mbështetjen politike të të gjithëve është i domosdoshëm.

Kryeministri kërkoi një takim të menjëhershëm me kryetarin e partisë për të gjetur sic tha ai zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme. Një gjë e tillë shpjegoi kryeministri do të shërbejë për të qetësuar njerëzit e thjeshtë, biznesmenët vendas dhe investitorët e huaj do të largojë shpërqëndrimin e administratës dhe do të heqë pengesat që kanë dalë për marrjen e vendimeve të rëndësishme në favor të Shqipërisë.

Qëndrimi i sotëm i kryeministrit është hapi i parë konkret për të gjetur zgjidhjen e krizës në PS me anë të bashkëpunimit, përballë presionit në rritje të kryetarit të partisë dhe mbështetësve të tij. Sepse megjithëse në fillim të vitit si kryeministër i kishte bërë thirrje administratës që të punonte pa u ndikuar nga proceset brenda partisë socialiste ai sot u detyrua të pranojë se qeveria ka një efikasitet më të të ulët. Dhe se vetë ministrat e tij janë përfshirë nga konfuzioni dhe mëdyshja për t'u rreshtuar me njërën apo tjetrën palë në konflikt.

Ende nuk ka një reagim të qartë nga zoti Nano i cili sot në mesditë ishte ulur në krah të kryeministrit gjatë një feste të organizuar nga forumi i rinisë socialiste. Ndërsa ne fjalen e tij zoti Nano beri thirrje që cdo hap përpara të bëhej bashkërisht.

XS
SM
MD
LG