Lidhje

Walker akuzohet me katër vepra penale - 2002-01-16


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, thotë se John Walker Lindh, i cili u kap me luftëtarët talebanë në Afganistan, do të gjykohet nga një gjykatë civile dhe do të akuzohet se ka ndihmuar dhe maskuar terroristët.

Zoti Ashcroft tha dje se John Walker akuzohet për mbështetjen aktive të Al-Qaidës dhe për konspiracion për vrasjen e ushtarëve amerikanë jashtë vendit, edhe pasi e dinte se mijra amerikanë ishin vrarë në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Zoti Ashcoft bëri të ditur se John Walker u ka thënë hetuesve se është takuar personalisht me Osama Bin-Ladenin në një nga kampet e stërvitjes së Al-Qaidës.

Zoti Ashcroft tha se John Walkeri vendosi në mënyrë të përsëritur që të luftonte krahas armiqve të Amerikës. Në qoftë se gjendet fajtor, i riu 20 vjeçar mund të dënohet me burgim të përjetshëm, por jo me vdekje.

Prokurori i Përgjithshëm, Ashcroft, tha se nuk është e zakontë që Shtetet e Bashkuara t’i dënojnë shtetasit e tyre, por në këtë rast shtoi ai, ato janë të detyruara ta bëjnë një gjë të tillë.

Zoti Ashcroft tha se akuzat kundër John Walker-it bazohen në deklaratat që ai ka dhënë vullnetarisht pasi u kap. Prokurori i Përgjithshëm tha se ndaj tij mund të ngrihen edhe akuza të tjera. Ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se forcat e Shteteve të Bashkuara po vazhdojnë ndjekjen e Osama Bin Ladenit dhe udhëhqësit të përmbysur taleban, mullah Mohammad Omar. Por zoti Rumsfeld tha se nuk ka të dhënë të reja zbulimi për vendndodhjen e tyre.

XS
SM
MD
LG