Lidhje

Intervistë me specialistin e Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike - 2002-01-17


IK: A mendoni se lufta e brendëshme në Partinë Socialiste të Shqipërisë po e lodh vendin dhe po i shterron energjitë e tij?

JB: Nuk ka dyshim se ajo po e shkatërron unitetin e qeverisë dhe angazhimin e qeverisë për të zbatuar programin e reformës. Gjithmonë është mirë kur brenda një partie ka diferenca dhe debate politike, por jo të tilla që e paralizojnë politikën dhe bëjnë që qeveria të mos funksionojë në çështjen kryesore siç është reforma. Ndoshta në fund të fundit, kjo mund të përfundojë me një rezultat pozitiv, në kuptimin që nëse brenda partisë socialiste do të lindnin dy formacione ato mund të ndiqnin politika më logjike.

IK: Çfarë rruge mund të merrnin zhvillimet nëse kemi një çarje të Partisë Socialiste?

JB: Në këtë rast do të kishim lindjen e dy partive, ndoshta njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël. Kjo do të ishte një provë për të parë nëse ato do të ndiqnin këtë apo atë vijë dhe udhëheqje politike. Sidoqoftë, për socialistët ka rëndësi të bëjnë disa gjëra: së pari të jenë më logjikë në veprime, së dyti të tërheqin njerëz të rinj në partinë e tyre dhe së treti të vazhdojnë zbatimin e programit që kanë filluar, i cili megjithëse ka patur pjesërisht sukses, ka mbetur kryesisht në letër por ende është e nevojshme të vihet në jetë.

IK: A shihni një mungesë vizioni në pamundësinë e udhëheqësve politikë të Kosovës për të zgjedhur institucionet e tyre të reja?

JB: Mendoj se kjo tregon për një mungesë realizmi dhe natyrisht edhe një mungesë vizioni. Ajo flet për një mungesë realizmi për të ardhmen si një vend me aspirata. Në se Kosova kërkon të ketë rastin të bëhet një entitet sovran, asaj i duhet së pari një qeveri me autoritetet dhe legjitimitet. Në Kosovë pati një proces zgjedhor, por për fat të keq nuk po shikojmë aftësi të mjaftueshme për të arritur kompromis midis elitës politike. Kjo çon në një zhgënjim të madh midis publikut dhe në humbjen e besueshmërisë në planin ndërkombëtar. Në fund të fundit kjo bën lojën e Beogradit që e shikon Kosovën si pjesë të Jugosllavisë.

IK: Presidenti Koshtunica dhe kryeministri Djindjic i kanë kërkuar koalicionit ”Kthimi” të serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit. Ç’Mendoni ju për këtë lëvizje të tyre?

JB: Mendoj se kjo hyn në kuadrin e veprimeve të vazhdueshme të Beogradit si në planin federal edhe në atë republikan që e shikojnë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë. Prandaj ata përdorin të gjitha mjetet që mundin, duke përfshirë edhe autoritetet e zgjedhura në mënyrë legjitime në Prishtinë si dhe politikanët serbë në Prishtinë në përpjekje për të minuar besueshmërinë e qeverisë së re e cila ende nuk është krijuar, në kuptimin e aspiratave të saj për pavarësi. Mendoj se kjo nuk mund të shihet si ndërhyrje por është diçka e paevitueshme duke patur parasysh gjendjen e amullisë në të cilën ndodhet aktualisht Kosova.

IK: Në Maqedoni nuk po shohim atë angazhim aktiv të përfaqësuesve ndërkombëtarë siç shihnim më parë. A mendoni se ky largim mund të rrezikojë që vendi të rrëshqasë përsëri drejt luftës?

JB: Ky rrezik ekziston. Por tani për tani dimri është i ashpër dhe në Ballkanin jugor nuk ka shumë zhvillime gjatë muajve të dimrit. Sidoqoftë, mendoj se mungon një zbatim serioz i marrëveshjes së Ohrit, ka shumë zhgënjime midis udhëheqësve politikë shqiptarë dhe natyrisht ekziston një grup gueriljesh të armatosur që do të bëhen aktivë nëse këto ndryshime nuk vihen në zbatim. Prandaj mendoj se Maqedonia do të përballet me ditë të nxehta kur moti të fillojë të ndryshojë. E them pothuajse me siguri se Amerikës përsëri do t’i duhet të angazhohet së bashku me Bashkimin Evropian.

IK: Ju po botoni një libër për Ballkanin. Cilat janë përfundimet kryesore që arrini në libër lidhur me situatën në Ballkan?

JB: Në fakt libri nuk është vetëm për Ballkanin por për një rajon shumë më të gjerë, është për krejt Evropën pas komuniste me përjashtikm të Rusisë. Unë i hedh një vështrim secilit vend të Ballkanit, përfshirë Shqipërisë dhe Kosovë. Përfundimet që nxjerr unë në libër janë dy: së pari ka shumë rëndësi që të kemi vazhdimësi politike pavarësisht nga qeveria që është në fuqi, pra që qeveria të vazhdojë programin e caktuar politik dhe ekonomik. Së dyti ka shumë rëndësi për këto vende që të angazhohen në strukturën transatlantike të sigurimit. Pra, anëtarësimi në Nato do të ishte me rëndësi kyçe. Është më mirë që këto vende të jenë anëtare të Natos dhe të kenë Naton brenda tyre sepse në fund të fundit duket se këto janë alternativat e vetme për Ballkanin.

XS
SM
MD
LG