Lidhje

Intervistë me Ilir Zherkën - 2002-01-17


VOA: Tani që po largoheni nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, në se do t’i hidhnit një vështrim punës tuaj dhe asaj të organizatës që ju drejtuat, cilat janë disa nga momentet më të vështira, por edhe më mbresëlenëse?

I.ZH.: Nje nga momentet me të vështira ishte gjatë vitit të kaluar me luftën në Maqedoni. Në Kongres dhe në departamentin e shtetit kishte shumë kundërshtime ndaj veprimeve të UÇK-së dhe na u desh shumë punë për të sqaruar se të vërtetën dhe për të bindur qeverinë të caktonte një të dërguar të posaçëm për Maqedoninë si dhe të angazhohej për zgjidhjen e konfliktit atje. Ndërsa momenti më mbresëlënës për ne ishte çlirimi i Kosovës. Diaspora shqiptare kishte punuar për të paktën një dekadë për çlirimin e Kosovës. Ne mendoj se luajtëm një rol të rëndësishëm për të angazhuar qeverinë amerikane, që praktikisht zhvilloi luftë kundër Serbisë. Prandaj kur erdhi ky moment dhe Kosova u çlirua për ne dhe për mua personalisht ishte një knaqësi por edhe krenari e veçantë.

VOA: Ju e drejtuat Këshillin Kombëtar në disa momente të vështira por edhe të rëndësishme për shqiptarët në Shqipëri, Maqeodni e veçanërisht në Kosovë. Sot kur kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe ende nuk po formohet dot qeveria cilat janë disa nga mendimet tuaja për gjendjen politike atje?

I.ZH.: Une jam shumë i zhgënjyer, ashtu siç janë edhe shumë shqiptarë të diasporës. Votat e banorëve të Kosovës u pa qartë se u ndanë mes partive kryesore. Nuk pati mandat të fortë për asnjë parti. Në kushte normale një luftë e tillë për pushtet mund të quhet e pranueshme por për Kosovën kushtet nuk janë normale. Kosova nuk është ende një shtet. Ajo ka probleme shumë të thellë të infrastrukturës si dhe probleme të tjera ekonomike. Tani është koha që politikanët të tregojnë se janë vërtetë burra shteti dhe të arrijnë kompromise. Ky është pikërisht momenti për kompromis. Ne jemi shumë të zhgënjyer që procesi politik nuk po përparon dhe u kemi bërë thirrje udhëheqësve në Kosovë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të krijuar qeverinë që të merren më pas me problemet e vendit, pasi për këtë qëllim janë zgjedhur, të punojnë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë.

VOA: Organizatat lobiste shqiptare në Amerikë nuk kanë ndonjë përvojë të gjatë dhe shpesh ato konkurojnë me njera tjetrën. Bazuar në përvojën tuaj si mund të përmirësohet puna e tyre në të ardhmen?

I.ZH.: Së pari, dua të them se konkurenca është një gjë normale. Edhe brenda një familje ka mendime të ndryshme, e aq më shumë brenda një komuniteti. Pra do të ketë qëndrime të ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Mendoj se përpjekjet e komunitetit për të ndikuar tek administrata kanë përparuar mjaft gjatë dekadës së fundit. Vite më parë përpjekjet kryesore të komunitetit përfshinin vetëm dhënien e fondeve për fushata elektorale të politikanëve të ndryshëm. Ndërsa kohët e fundit, sidomos pas krijimit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan kemi ecur përtej kësaj. Sot ne kemi një zyrë këtu në Washington si dhe një grup njerëzish që përfaqësojnë mendimet e komunitetit shqiptar, që mbrojnë interesat e tij në takime me adminsitratën, në seanca të Kongresit, në emisione televizive e gjetkë. Kjo prani ishte e nevojshme dhe nga kjo komuniteti shqiptar ka përfituar. Për këtë ka luajtur rol krijimi i Këshillit tonë si dhe puna e disa grupeve të tjera. Puna jonë ka qënë me mjaft përfitim për shqiptarët që jetojnë në Ballkan.

VOA: Po ju vetë çfarë planesh keni për të ardhmen? A do të vazhdoni të jeni i angazhuar për problemet e shqiptarëve?

I.ZH.: Unë jam marrë me çështjet shqiptare që i vogël. Unë jam shqiptar dhe e ndjej për detyrë të ndihmojë popullin tim. Puna ime ka filluar para krijimit të Këshillit dhe do të vazhdojë edhe tani që u largova nga drejtimi i tij. Unë do të vazhdoj të jem anëtar në Këshill dhe do të vazhdoj të ndihmoj këtë organizatë. Përsa i përket punës time do të merrem me ato që merresha para se të punoja për Këshillin Kombëtar, pra për të ndihmuar për çështjen e shqiptarëve si dhe për disa probleme të tjera të politikës së brendshme këtu në Washington, që është një nga pasionet e tjera të mia.

VOA: Zoti Zherka ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG