Lidhje

Kalendari Historik 17 janar - 2002-01-17


Më 17 janar 1823 u krijua një organizatë e ruajtësve të kufirit, e cila më vonë u bë e njohur si organizata legjendare Rojtarët e Rendit të Teksasit. Stephen Austin ishte një nga udhëheqësit e amerikanëve që ishin vendosur në provincën meksikane të njohur me emrin Teksas. Ai mori në punë 10 veta, për të ruajtur dhe patrulluar territorin përreth kolonisë së tij të vogël. Detyra e tyre ishte të vëzhgonin lëvizjet e dyshimta të indianëve dhe të tjerëve që mund të sulmonin ose të vidhnin fermat ose pronat e kolonëve amerikanë. Kur Teksasi shpalli pavarësinë nga Meksika më 1835, 10 vjet para se të bëhej shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grupi vogël i ruajtësve të rendit u zgjerua dhe u quajt zyrtarisht Ruajtësit e Rendit të Teksasit, Texas Rangers. Gjatë një periudhe aktesh të paligjshme, pas Luftës Civile Amerikane të viteve 1860, ata ruajtën rendin në gjithë shtetin e Teksasit. Pjesëmarrësit në radhët e Ruajtësve të Rendit të Teksasit zgjidheshin në bazë të trimërisë dhe shkathtësisë së tyre në përdorimin e armëve të zjarrit dhe në mënyrë të veçantë të revolverit Colt-45.

Më 17 janar 1961 presidenti Dwight Eisenhower, mbajti fjalimin e tij të lamtumirës, drejtuar popullit amerikan. Pjesa e fjalimit që mbahet mend më shumë, është paralajmërimi i Eisenhowerit për rreziqet që mund të vijnë nga ajo që ai e cilësoi si Kompleksi Ushtarako-Industrial. Presidenti Eisenhower, ish-kryekomandanti i Forcave Aleate në Luftën e Dytë Botërore dhe shef i Aleancës së Atlantikut Verior të pasluftës, tha se shihte mundësinë që politika shtetërore të bëhej pre e elitës teknologjiko-shkencore. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke shprehur mendime për paqen botërore, që ai tha me keqardhje se nuk dukej gjëkundi në horizont. Megjithatë ai u lut që popujt e të gjitha besimeve, racave dhe kombeve, të mund të jetonin së bashku, me respekt dhe dashuri të ndërsjellë. Tri ditë më vonë, më 20 janar 1961, John Kennedy bëri betimin si pasardhës i Dwight Eisenhowerit në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG