Lidhje

Washingtoni kërkon ndihmë(18 janar) - 2002-01-18


Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar foto dhe fragmente nga videokaseta ku tregohen pesë anëtarë të dyshuar të al-Qaidës duke planifikuar sulme të ardhshme vetvrasëse, dhe po i kërkon publikut kudo në botë të ndihmojë në gjetjen dhe kapjen e tyre.

Prokurori i përgjithshëm, John Ashcroft, paraqiti videokasetën dje, ku paraqiten tre nga pesë të dyshuarit duke dhënë mesazhe që ai i cilësoi si mesazhe martire, që zakonisht jepen para një sulmi vetvrasës.

Zoti Ashcroft tha se videokaseta e gjetur kohët e fundit në Afganistan nuk lë të kuptohet nëse sulmet do të kryhen së shpejti. Por ai tha se personat e paraqitur mund të jenë duke u përgatitur për kryerjen e sulmeve, dhe ai tha se ata mund të ndodhen kudo në botë.

Zoti Ashcroft tha se autoritetet kanë identifikuar 4 nga pesë të dyshuarit. I dyshuari më i mirënjohur është Ramzi Binashibh, i cili kërkohet edhe nga autoritetet gjermane. Prokurori i përgjithshëm tha se nuk dihet shumë rreth 4 personave të tjerë.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka caktuar ndonjë shpërblim, por shpreson se kushdo që ka të dhëna do të bier në kontakt me autoritetet.

XS
SM
MD
LG