Lidhje

Lindje e Mesme - konflikti vazhdon (20 janar) - 2002-01-19


Udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, akuzoi Izraelin se po shfrytëzon sulmet vetvrasëse si rast të volitshëm për të diskredituar palestinezët. Në një intervistë me revistën Newsweek, zoti Arafat ngul këmbë se Autoriteti Palestinez po bën ç’është e mundur për të ndaluar terrorizmin. Ai tha se masat e marra deri tani përfshijnë më shumë se 250 arrestime. Udhëheqësi palestinez tha gjithashtu se nuk e kupton se si komuniteti ndërkombëtar mund të lejojë vendosjen e bllokadës ushtarake izraelite ndaj selisë së tij në Bregun Perëndimor.

Dje në mëngjes, forcat izraelite hodhën në erë studiot e radios zyrtare palestineze në Rammallah. Izraeli ngul këmbë se palestinezët e përdornin radiostacionin për të nxitur dhunën. Palestinezët e cilësojnë atë si veprim kriminal dhe si përpjekje për të mbytur zërin e tyre.

Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve cilësoi shkatërrimin e radiostacionit palestinez nga ana e Izraelit si një sulm të dënueshëm. Komiteti me seli në New York tha se Izraeli po i mohon publikut palestinez të drejtën e marrjes dhe përhapjes së lameve dhe të informacionit.

Grupi u shpreh gjithashtu se sulmet kundër mjeteve të informimit i vënë gazetarët në rrezik duke minuar statusin e tyre civil dhe duke i kthyer ata në objektiva ushtarake. Komiteti i rikujtoi Izraelit se stacionet e radios dhe televizionit janë objekte civile dhe se ligjet ndërkombëtare humanitare i mbrojnë ato nga sulmet ushtarake.

XS
SM
MD
LG