Lidhje

Powell: "Tensionet Indi-Pakistan po zbuten" - 2002-01-20


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, thotë se ekspozimi i forcës në kufi ndërmjet dy rivalëve bërthamorë, Indisë dhe Pakistanit, ka dhënë shenja zbutjeje gjatë kësaj jave dhe thotë se është inkurajuar që të dyja palët duan ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre në mënyrë paqësore.

Duke folur sot në televizionin amerikan Fox News, zoti Powell tha se ai dhe udhëheqësit indianë janë impresionuar nga një fjalim i kohëve të fundit i presidentit pakistanez, Pervez Musharraf, ku ai shpalli të jashtëligjshme disa grupe ekstremiste myslimane që kanë lidhje me sulmin terrorist vdekjeprurës ndaj parlamentit indian muajin e kaluar.

Por ai tha se India pret nga ana e Pakistanit veprime më konrete kundër terrorizmit, përpara se New Delhi të fillojë të tërheqë trupat e veta nga kufiri i diskutueshëm që ndan dy vendet.

Disa orë përpara se zoti Powell të bënte komentet e tij, ushtarët pakistanezë dhe indianë që ndodhen përballë njëri-tjetrit në rajonin e Kashmirit, shkëmbyen zjarr armësh të lehta.

Nuk ka njoftime për viktima. Përleshje të tilla të armatosura janë bërë të zakonshme që kur India dhe Pakistani grumbulluan qindra-mijëra trupa përgjatë kufirit të tyre të përbashkët pas sulmit kundër parlamentit.

Udhëheqësit indianë thonë se dy grupe militante me bazë në Pakistan janë përgjegjës për sulmin dhe thonë se Islamabadi duhet ta ndalojë eksportimin e terrorizmit në territorin e Indisë.

XS
SM
MD
LG