Lidhje

Lidhje të Bin Ladenit në Shqipëri (22 janar) - 2002-01-22


Gjithshka duket se ka nisur pas atentateve terroriste të 11 shtatorit në New York dhe Uashington. Në kuadrin e luftës kundër terrorizmit Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpiluan një listë të personave të lidhur me organizatën e Bin Ladenit duke i kërkuar të gjitha vendeve që të bllokonin aktivitetet financiare dhe pasuritë e tyre. Kjo listë mbërriti edhe në Shqipëri. Ajo iu dorëzua Agjencisë së Pastrimit të Parave, një organ i krijuar rishtazi pranë Ministrisë së Financave. Në atë listë figuronte edhe emri i Yassid Kadiu, me nënshtetësi arabe i cili kishte disa aktivitetet biznesi në Shqipëri, duke filluar që nga ndërtimet deri te ilacet e kozmetika.

Hetimet e bëra ndaj tij vërtetuan shumë dyshime për mundësinë e pastrimit të parave. Lëvizjet që ai ka bërë në bankat që veprojnë këtu janë prej disa milion dollarësh ndërkohë që janë vërtetuar fshehje të të ardhurave dhe manovrime financiare me tatimet e doganat shqiptare. Pas mbledhjes së fakteve Agjencia e Pastrimit të Parave, ka bërë kallzimin në Prokurori e cila dje pas vendimit të gjykatës së Tiranës, njoftoi për vendosjen e masës së sekuestrimit preventiv ndaj dy gratacielave që po ndërtohen në zemër të kryeqytetit, vetëm 100 metra përballë godinës së Qeverisë. Yassid Kadiu, dhe shoqëria e tij e ndërtimeve Karavan Construction ishin bashkëpronar në ndërtimin e atyre që njihen edhe si dy kullat binjake të Tiranës. Yassin Kadi ka patur lidhje të ngushta edhe më një person tjetër të dëbuar nga Shqipëria në nëntor të vitit 1999. Abdyl Latif, nga Jordania dyshohej si anëtar i organizatave terroriste. Madje Abdyl Latif ka kaluar në favor të Yassin Kadisë të gjitha pasuritë e tij të tundshme e të patundshme.

Por Yassin Kadiu nuk është i vetmi person të cilit i bllokohen pasuritë. Sipas raportimit të bërë mbrëmë nga kryeministri Ilir Meta në parlament, sipas sinjalizimeve që janë marrë nga bankat janë edhe 16 persona të dyshuar: “Nga drejtoria e bashkërendimit të luftës kundërpastrimit të parave vetëm gjatë kësja periudhe janë marrë 9 njoftime nga banka të ndryshme ku implikohen 16 individë për të cilët po ndiqet problemi me prokurorine e Përgjithshme dhe organet e tjera – deklaroi kryeministri - Në Bankën arabe Islamike e në bankën ndërkombëtare tregtare janë bllokuar llogari bankare të disa shoqërive të huaja dhe të një individi të vecantë të cilit i është ngrirë llogaria bankare në disa banka dhe janë bllokuar transaksionet e pasurive të paluajtshme të rregjistruara në zyrën kombëtare duke bërë edhe kallzimin në Prokurori”.

Pas atentateve terroriste në SHBA janë dëbuar 5 elementë të dyshuar ndërsa 223 personave me nënshtetësi arabe, por pa leje qëndrimi në Shqipëri u është urdhëruar largimi nga vendi.

XS
SM
MD
LG