Lidhje

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën: "pavarësi e kushtëzuar" (23 janar) - 2002-01-23


Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk mund të kërkohet në kuadrin e ndonjë Jugosllavie të korigjuar, por në pavarësinë e kushtëzuar. Kështu deklaruan në Prishtinë përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën duke paraqitur një raport shtesë prej 43 faqesh në të cilin shpjegohet pse është e domosdoshme një zgjidhje e tillë. ”Raporti i parë i këtij komisioni, që është themeluar me nismën e kryeministrit suedez, Goran Persson, për të siguruar analiza objektive të ngjarjeve të para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, është botuar në tetor të vitit 2000 ndërsa dy vjet më vonë ai ka rishqyrtuar ngjarjet që u zhvilluan gjatë kësaj kohe, tha bashkëkryetari i Komisionit, Carl Tham. “Së pari ishte rënia e Millosheviçit nga pushteti dhe vendosja e qeverisë së re të përcaktuar për demokraci në Beograd. Ngjarje tjetër me rëndësi ishin edhe dhuna në Luginën e Preshevës e në Maqedoni si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë përfshirë edhe Kornizën Kushtetuese të saj”.

Rrethanat e reja kanë përforcuar bindjen e Komisionit Ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës sipas propozimit të tij, theksoi anëtari i këtij komisioni, Jacques Rupnik. Por ai nënvizoi se fjala “e kushtëzuar” është po aq e rëndësishme sa edhe fjala pavarësi dhe kjo duhet të kuptohet drejt. ”Kjo mes tjerash nënkupton prononcimin e qartë për mosndryshimin e kufijve me forcë, që do të thotë të harrohet ndonjëfarë Shqipërie e Madhe, Presheva, Maqedonia perëndimore etj. Po ashtu, kjo nënkupton një garanci kushtetuese të të Drejtave të Njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Kjo tha zoti Rupnik, paraqet një formë të re të sovranitetit që nuk ka të bëjë me konceptin e shekullit të XIX të periudhës së krijimit të shteteve-kombe. Dhe natyrisht kjo nënkupton edhe një mbikqyrje ndërkombëtare. Një zgjidhje e tillë do të ishte më e drejtë sesa çdo zgjidhje tjetër tha zoti Rupnik duke tërhequr vërejtjen se mbajtja e Kosovës nën protektorat nënkupton më pak përgjegjësi për faktorët vendorë.

Duke nënvizuar se UNMiK-u ka arritur përparime në përpjekjet për të rindërtuar dhe përmirësuar standardet e të drejtave të njeriut, anëtarët e komisionit thanë se në të njëjtën kohë ai është duke ushtruar, siç u shprehën, një "pushtet perandorak"… .

Pasiguria e statusit të ardhshëm të Kosovës, për banorët e saj ka qenë burim kundërthëniesh që kur Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara vendosi "iluzionin e vetë-qeverisjes" të përfaqësuar në Kornizën Kushtetuese.

Ata pohuan se nuk mund të jetë zgjidhje as kërkimi i statusit përfundimtar në kuadër të çfarëdo Jugosllavie të korigjuar, meqë, siç tha zoti Rupnik, “shumë krime janë bërë nën flamurin e idesë së Jugosllavisë dhe policisë e ushtrisë jugosllave”. Në fund të fundit , përfundoi ai, zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të kërkohet në izolim, por në bisedime me fqinjët si Serbia e Maqedonia dhe jo në kuadrin e ndonjë Jugosllavie, por në kuadër të një pavarësie të kushtëzuar.

XS
SM
MD
LG