Lidhje

Përparësi kryesore e Shteteve të Bashkuara - parandalimi i akteve të terrorit (26 janar) - 2002-01-26


Komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali Tommy Franks, thotë se përparësi e Shteteve të Bashkuara është parandalimi i akteve të reja të terrorit në mbarë botën.

Duke folur në Islamabad, gjenerali Franks tha se parandalimi i këtyre akteve është përparësia më e madhe e ekspertëve që analizojnë informacionet e zbulimit nga Afganistani. Ai tha se forcat amerikane po vazhdojnë gjithashtu të kërkojnë për Osama bin Ladenin, udhëheqësin e rrjetit terrorist të al-Qaidës, si dhe udhëheqësin e përmbysur taleban, Mullah Mohammed Omar.

Gjeneral Franks i bëri komentet e tij pas një vizite të shkurtër dje në Kabul, ku ai zhvilloi bisedime mbi sigurimin me zyrtarë të lartë të qeverisë së përkohshme të vendit.

Udhëheqësi i përkohshëm afgan, Hamid Karzai, niset sot nga Kabuli për në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të takohet me presidentin Bush dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.

Zoti Karzai pritet të marrë siguri që Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një kohë të gjatë ndaj vendit të tij.

Dje në Washington, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, i tha ministrit të jashtëm afgan, Abdullah Abdullah, se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që ta ndihmojnë Afganistanin për sa kohë që të jetë e nevojshme.

XS
SM
MD
LG