Lidhje

Partitë shqiptare - të ndara mbi Brukselin (26 janar) - 2002-01-26


Partitë shqiptare janë të ndara në qëndrimin e tyre lidhur me mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë në Bruksel. Përfaqësuesit e opozitës deklaruan se ishin tejet të kënaqur duke qenë se, sipas tyre, pjesa dërrmuese e vërejtjeve, sidomos për zgjedhjet, janë marrë parasysh.

Kryetari i Partisë Demokratike konfirmoi sot hyrjen e shpejtë të opozitës në parlament. Ndërsa përfaqësuesit e shumicës së majtë nuk kanë shprehur optimizëm të vecantë megjithëse kanë deklaruar se takimi do të sjellë përafrimin e Shqipërisë m BE.

Pozita dhe opozita shqiptare, u kthyen ashtu siç u nisën për në takimin e Brukselit: të ndarë dhe me qëndrime, si zakonisht, të kundërta. Ky pozicion i mbajtur edhe në takimin me europarlamentarët nuk ka lënë shije të mirë te përfaqësuesit perëndimorë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, të cilët do të hartojnë një dokument për Komisionin Europian në prag të hapjes së negociatave për marrëveshjen e asocimit dhe stabilizimit të Shqipërisë me BE. Madje deklarata të vecanta të eurodeputetëve të botuara në shtypin shqiptar shprehin një skepticizëm të hapur lidhur me afrimin e Shqipërisë në strukturat europiane.

Opozita shqiptare nga ana e saj deklaroi një optimizëm të hapur ndaj mbledhjes së Brukselit. Kjo për faktin e thjeshtë se zgjedhjet e 24 qershorit kanë marrë një pikëpyetje të madhe. Parlamentarët europianë, pavarësisht se nuk kanë vënë në dyshim epërsinë e shumicës së majtë, kanë shprehur ato vërejtje që dhanë edhe vëzhguesit e Odihr-it, sipas të cilave, rezultati përfundimtar që i siguroi të majtës më shumë se dy të tretat e parlamentit, është i manipuluar. Për këtë arsye ata kanë kërkuar me ngulm që presidenti i vendit të zgjidhet me konsensus. Një kërkesë e cila vë në vështirësi socialistët, për shkak se kryetari i tyre, Fatos Nano, ka bërë publik faktin se synon të kandidoje për postin e kreut të shtetit.

Nga ana tjetër opozita duke e parë veten të favorizuar, nuk ka nguruar të zotohet për një rikthim të shpejtë në parlament, ndoshta brenda muajit shkurt. Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se rikthimi në parlament bëhet, jo për ta njohur këtë të fundit, por për të zgjidhur krizën. Opozita gjithashtu është shprehur dhe në favor të zgjedhjes së një presidenti konsensual. Në këtë mënyrë, ajo siguroi një imazh pozitiv përkundrejt socialistëve, të cilët kundërshtuan vlerësimet për zgjedhjet e 24 qershorit dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Se çfarë efektesh do të ketë ky takim në bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës, pritet të shihet së shpejti. Një komision i përbashkët duhet të nisë nga puna për vlerësimin e vërejtejve të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare dhe të punojë për përmirësimin e kodit elektoral.

XS
SM
MD
LG