Lidhje

Maqedoni: PPD emëron dy anëtarët e saj në këshillin bashkërendues (28 janar) - 2002-01-28


Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) ka emëruar dy anëtarët e saj për në këshillin bashkërendues që do të përbëhet nga tri parti shqiptare dhe drejtuesit e ish-UCK. Partia e Prosperitetit emëroi sot Abdylhadi Vejselin, nënkryetar partie dhe deputet dhe Ismet Ramadanin, deputet, për anëtarë të këtij Këshilli. Me këtë përmbyllet lista e tri partive kryesore shqiptare në Maqedoni për këtë organ.

Nga Partia Demokratike Shqiptare në këtë Këshill janë Iljaz Halimi, nënkryetar partie dhe nënkryetar Parlamenti dhe Muharrem Nexhipi, zëvendësministër. Partia Demokratike Kombëtare, siç njoftoi sot për Zërin e Amerikës sekretari i përgjithshëm i partisë, Xhevat Ademi, do të përfaqësohet në Këshill me Teuta Ajetin, nënkryetare e partisë dhe me Fadil Bajramin, aktualisht deputet. Siç dihet, anëtarët e ish-UCK për në këtë Këshill janë Nazmi Beqiri dhe Hazbi Lika, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë anëtari i tretë i ish-UCK.

Sipas zërave, nismëtari për themelimin e këtij Këshilli, ish-drejtuesi politik i UCK Ali Ahmeti, thuhet të ketë refuzuar më parë praninë e zotit Abdylhadi Vejseli të PPD në këtë organ dhe tash partia ta emërojë atë për herë të dytë. PPD e zvarriti themelimin e Këshillit për të marrë më shumë njoftime se cilat do të jenë kompetencat e tij.

Ky Këshill politik shqiptar mendohet se do të luajë rolin e një organi për bashkimin e ideve dhe kërkesave jetike të shqiptarëve në vend, por ka edhe mendime se ai mund të jetë një formë koalicioni ndërshqiptar për zgjedhje.

Ndërkohë, në Maqedoni përveç organizimit të një konference ndërkombëtare dhuruesish pritet të bëhet edhe ligji për amnistinë e ish-luftëtarëve shqiptarë, që konsiderohet, në të vërtetë, të jetë një çështje kohe. Përfaqësuesi i lartë i BE Javier Solana gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup mori premtime nga krerët shtetërorë maqedonas se do ta miratojnë ligjin e amnistisë. Autoritetet maqedonase vendosën ta bëjnë ligjin pasi zëvendëskryeministri serb Nebojsha Coviq para pak ditësh u sugjeroi zyrtarëve në Shkup të vepronin kështu, se "kjo ishte mënyra e vetme për të zgjidhur çështjen". Mirëpo, për miratimin e këtij ligji nuk janë dhënë afate.

Në Shkup ka pasur rast kur një ish-luftëtari shqiptar i është falur dënimi nga presidenti Boris Trajkovski në bazë të amnistisë së tij shpallur, dhe ai është marrë pësëri në burg nga organet policore. Ministri i Drejtësisë Ixhet Mehmeti ishte më këmbëngulës në kërkesën që amnistia të ketë një bazë ligjore.

XS
SM
MD
LG