Lidhje

Prishtinë: arrestohen tre shqiptarë (28 janar) - 2002-01-28


Forcat e Policisë së UNMiK-ut dhe trupat e KFOR-it kanë arrestuar sot tre persona të përkatësisë kombëtare shqiptare nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile. Arrestimet janë bërë gjatë një operacioni në shkallë të gjerë në të cilin ishin përfshirë 60 pjestarë të policisë dhe po aq pjestarë të trupave të NATO-s. Operacioni i cili ishte përqëndruar në qendër të Prishtinës ka përfunduar diku rreth orës 15 e 30 sipas kohës vendore.

Në një komunikatë të shërbimit për informim të Misionit të Kombee të Bashkuara thuhet se të tre personat janë arrestuar nën dyshimin se janë përgjegjës për krime kundër popullatës civile. Viktimat thuhet se janë të përkatësisë shqiptare, ndërsa veprimet e të arrestuarëve kanë ndodhur gjatë periudhës nga muaji shtator i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Të arrestuarit që janë shqiptarë të Kosovës dyshohet se janë përgjegjës për rrëmbime të paligjshme, sulme fizike dhe në disa raste edhe për vrasje. Të tre këta thuhet se ishin pjestarë të Policisë Ushtarake të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe kanë vepruar në rajonin e komunës së Podujevës në periudhën kur kanë ndodhur rastet për të cilat ata dyshohen. Në njoftim theksohet se arrestimet kanë të bëjnë me veprimet individuale dhe nuk janë të drejtuara kundër organizatës që ata i përkisnin apo atyre që u përkasin aktualisht.

Ndonëse zyrtarët ndërkombëtar nuk kanë bërë të njohur identitetin e tyre, burimet shqiptare pohojnë se i arrestuari i parë është Latif Gashi, aktualisht pjestar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa i arrestuari i dytë Naim Kadriu sekretar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, ndërsa ende nuk dihet asgjë për të arrestuarin e tretë. Tash për tash thuhet se organet e rendit kanë kontrolluar shtëpitë dhe zyrat e të arrestuarëve dhe po punojnë në mbledhjen e fakteve të tjera në lidhje me veprimet e tyre.

Lidhur me këto arrestime është zhvilluar një takim i jashtëzakonshëm ndërmjet përfaqësuesve të policisë dhe komandantit të KFOR-it gjeneralit Marcel Valentin dhe drejtuesve të tri partive kryesore politike shqiptare. Por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të prononcohet rreh këtij takimi

XS
SM
MD
LG