Lidhje

OSBE Kritikon Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (E merkurë 30 janar) - 2002-01-30


Edhe pas ditës së dytë të takimit, Kryesia e Partisë Socialiste nuk arriti t’i jepte një zgjidhje krizës në gjirin e saj dhe të emërojë një kryeministër për qeverinë e ardhshme. Takimi do të vazhdojë të premten. Pas takimit kryetari i Partise Socialiste Fatos Nano tha se po punohet për krijimin e një ekipi të ri qeverisës të qëndrueshëm që të sigurojë stabilitet për të shmangur kriza në të ardhmen.

Ndërkohë OSBE mbetet e shqetësuar për problemet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ambasadori i saj në Tiranë Gert Ahrens në një fjalim të mbajtur në Strasburg, dy ditë më parë dhe të shpërndarë sot në Tiranë, është shprehur se këto probleme mund të pengojnë integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Sistemi i Drejtësisë shqiptare vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobta në vend. Pothuajse në të gjitha raportet ndërkombëtare mbi zhvillimet në Shqipëri kjo çështje është e pranishme.

Dy ditë më parë në Strasburg në një takim të Këshillit të Europës mbi drejtësinë në Shqipëri, ambasadori i OSBE-së në Tiranë Gert Ahrens është shprehur i shqetësuar për dobësi të vecanta në sistemin gjyqësor. Në fjalimin e tij të shpërndarë sot në Tiranë, zoti Ahrens, thekson se “këto dobësi, jo vetëm që ndikojnë në mënyrën se si po administrohet drejtësia në Shqipëri, por ato ndikojnë gjithashtu, në përparimin e Shqipërisë drejt integrimint Euro-Atlantik”. Ambasadori Ahrens ka theksuar se i njëjti shqetësim është shfaqur edhe në takimin e Brukselit më 24 janar apo dhe në raportin e ekspertëve të BE. Zoti Ahrens është shprehur se edhe dy zgjedhjet e fundit, ato vendore dhe parlamentare nxorrën në pah dobësitë e sistemit gjyqësor, prandaj tha ai “vëmendja duhet të përqëndrohet tani jo aq në hartimin dhe ndryshimin e legjislacionit, sesa në problemet ekzistuese përndryshe dobësitë në sektorin e gjyqësorit bëhen një pengesë në rrugën e Shqipërisë drejt Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit”.

Ambasadori i OSBE-së bëri thirrje për një rritje të besimit tek gykatat pasi vetëm kështu theksoi ai “dekurajohen elementët kriminalë për të vepruar pa u ndëshkuar dhe për të menduar se mund t'i shmangen dënimit ose mund ta blejnë rrugëdaljen e tyre nga gjykimi. Vetëm një besim i tillë, mund t'u japë qytetarëve sigurinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në gjykatë. "Një gjyqësor që funksionon mirë, është gjithashtu një nga kushtet më të rëndësishme për investime dhe zhvillim ekonomik. Kjo është diçka që Shqipëria ka jashtëzakonisht nevojë”, saktësoi ambasadori Ahrens. Ai bëri thirrje për një luftë konkrete kundër korrupsionit.

Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit politike të cilat kanë nxjerrë si kryefjalë të ditës korrupsionin, ai vërejti se është bërë pak për të vëretëtuar ose përgënjeshtruar akuzat e lëshuara. “Kjo çështje - shpjegoi ai - qëndron pezull dhe duhet shqyrtuar. Kjo është një nga arsyet përse është kaq e nevojshme një prokurori dhe gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe i depolitizuar në vend. Autoritetet shqiptare do të duhet të përballen me këtë problem. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më tej”, deklaroi ambasadori i OSBE-së Gert Ahrens.

XS
SM
MD
LG