Lidhje

Arrestime në Pakistan (31 janar) - 2002-01-31


Policia pakistaneze njofton se ka arrestuar dy zyrtarë të lartë të regjimit të përmbysur taleban të Afganistanit.

Një burim policor tha se ish kryetari i gjykatës së lartë, Noor Mohammad Sakib, dhe ish-zëvendës-ministri i jashtëm taleban, Addul Rehman Zahid, u arrestuan gjatë një kontrolli para agimit, në dy fshatra kufitare pakistaneze në afërsi të qytetit Kueta.

Ish kreu i gjykatës së lartë është zyrtari më i lartë i regjimit të përmbysur taleban që mbahet nga forcat policore në Afganistan apo në Pakistan. Mendohet se ai ka ikur nga Afganistani pak ditë pasi koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filluan sulmet nga fillimi i tetorit.

Ende nuk dihet vendndodhja e shumicës së zyrtarëve më të lartë talebanë, përfshirë udhëheqësin Mullah Muhamed Omar.

Ndërkohë, Pentagoni njoftoi dje se filloi hetimet rreth një sulmi amerikan në veri të Kandaharit, në të cilin u vranë të paktën 15 veta. Zyrtarë të mbrojtjes ngulin këmbë se sulmi i javës së kaluar goditi një objekt ushtarak. Por banorë vendorë thonë se sulmi goditi një kompleks që përdorej nga përkrahës të qeverisë së përkohshme afgane.

Dje, në krahinën lindore afgane Paktia, shpërthyen luftimet midis fraksioneve rivale pashtun. Zyrtarë vendorë thonë se civilët po ikin nga qyteti Gardez, ku fraksionet po luftojnë për kontroll.

XS
SM
MD
LG