Lidhje

Kalendari Historik 31 janar - 2002-01-31


Më 31 janar 1940 qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri pagesën e parë në bazë të ligjit mbi sigurimet shoqërore. Një çek prej 22 dollarësh dhe 54 qindarkash iu dërgua zonjës Ida Mae Fuller. E veja 66 vjeçare kishte paguar vetëm 22 dollarë taksa për sigurimet shoqërore, para se të fillonte të merrte ndihmë financiare nga ky program. Zonja Fuller jetoi deri në janar të vitit 1975 dhe mori nga sigurimet shoqërore një shumë prej 22 mijë dollarësh. Ligji për Sigurimet Shoqërore u propozua nga presidenti Franklin Roosevelt, për të çliruar nga ndjenja e frikës dhe e varfërisë amerikanët e moshuar. Disa prej tyre i kishin humbur kursimet gjatë rënies ekonomike, që filloi nga fundi i viteve 1920. Sot dhjetëra miliona amerikanë marrin ndihmë financiare nga Sigurimet Shoqërore, që tani janë zgjeruar e përfshijnë edhe programe për invalidë, pensionistë dhe për pjesëtarë të familjeve të njerëzve që kanë paguar taksa për Sigurimet Shoqërore, por kanë vdekur. Ndërkohë vazhdon debati lidhur me ndryshimet që ndoshta duhen bërë në sistemin e sigurimeve shoqërore, në mënyrë që ai të ketë fonde të plota për brezat e ardhshëm. Megjithatë çdo ndryshim rrënjësor në program, shihet nga shumë ligjëvënës si tepër i rrezikshëm politikisht edhe për t’u propozuar.

Më 31 janar 1958 Shtetet e Bashkuara lëshuan satelitin e tyre të parë në orbitë rreth Tokës. Një raketë Jupiter, e vogël sipas standardeve të mëvonshme, u lëshua nga Cape Canaveral, në Florida. Raketa nxori në orbitë rreth Tokës një sondë që peshonte 14 kilogramë. Sonda kryente një rrotullim rreth Tokës çdo 114 minuta. Sonda në formë lapsi, kishte instrumente për matjen e rrezatimit kozmik në hapësirë dhe për të dërguar informacion në Tokë me anë të radios. Instrumentet e sondës Explorer One zbuluan shtresa të panjohura grimcash radioaktive rreth Tokës, që u quajtën Brezat Van Allen, sipas emrit të shkencëtarit James Van Allen, i cili identifikoi me saktësi fenomenin duke u bazuar në të dhënat e sondës Explorer One.

XS
SM
MD
LG