Lidhje

Partia Socialiste mundohet të zgjidhë krizën (31 janar) - 2002-01-31


Situata në gjirin e partisë socialiste në pushtet vazhdon të jetë e turbullt. Dy seanca radhazi të kryesisë nuk arritën të sjellin asnjë rrugëdalje të qartë, dhe hendeku mes dy grupimeve kryesore brenda kësaj partie mbetet shumë i madh, dhe ky fakt të bën të mendosh se është e vështirë të gjendet një zgjidhje afatgjatë për mbylljen e morisë së problemeve të lindura.

Kryetari i partisë Fatos Nano është në kërkim të një emri të ri të cilit do t’i besohet drejtimi i qeverisë. Në situatën aktuale duket se përpjekjet e zotit Nano po përqëndrohen për një figurë që të jetë e pranueshme nga të gjitha palët. Emra të shumtë kanë qarkulluar si kandidatë të mundshëm, por sot duket se më i mundshmi është emri i zonjës Ermelinda Meksi, ministre aktuale e Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, dhe që gjatë kësaj krize ka qenë më pranë kryeministrit Meta. Pikëpyetjet lindin nëse kjo kandidaturë, apo qoftë edhe një tjetër do të pranohet nga përkrahësit e kryeministrit. Mbrëmë zoti Meta deklaroi se nuk do të mbajë një qëndrim bllokues, por paralajmëroi se nuk do të lejojë një kryeministër apo një qeveri kukull.

Zgjidhja e krizës në partinë socialiste duket se nuk varet vetëm nga emri i kryeministrit, por edhe nga procesi i referendumit që do të organizojë zoti Nano, apo edhe vetë zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Prandaj dhe zoti Meta ka kërkuar përcaktimin e rregullave të qarta, në mënyrë që të sigurohet një qeveri e qëndrueshme.

XS
SM
MD
LG