Lidhje

Presidenti Bush paralajmëron përsëri (1shkurt) - 2002-02-01


Presidenti Bush u bëri përsëri një paralajmërim të fortë vendeve që përkrahin terrorizmin ose përpiqen të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë.

Gjatë një turneu në shtetet jugore të vendit, presidenti Bush tha se çdo vend që strehon terroristë ose planifikon të dëmtojë Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre duhet të vënë rregull në punët e veta dhe të respektojë shtetin ligjor.

Në komentet që bëri në Atlanta të shtetit Georgia, presidenti nuk veçoi ndonjë vend të caktuar. Mirëpo, në fjalimin mbi gjendjen e vendit që mbajti të martën, presidenti Bush i cilësoi Iranin, Irakun dhe Korenë e Veriut si boshti i ligësisë që nxit terrorismin dhe kërkon armë të shkatërrimit në masë.

Pasi u kthye në Washington, presidenti Bush u takua me kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder. Gjatë një konference me gazetarët pas bisedimeve me udhëheqësin gjerman, presidenti Bush falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit, kurse zoti Schroeder tha se Gjermani do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet kundër terrorizmit.

Dje, Gjermania njoftoi se mund të dislokojë avionë përgjimi dhe trupa në Kenia, si pjesë e luftës kundër terrorizmit. Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësim se mungesa e autoritetit qendror në Somalinë fqinje, mund ta shndërrojë atë në një vendstrehim për terroristët që kanë lidhje me rrjetin al-Kaida të Osama bin Ladenit, që tashmë është dëbuar nga Afganistani.

Gjermania ka dërguar anije dhe trupa në Xhibuti për të ndihmuar në patrullimin e vijave të lundrimit në rajonin e Detit të Kuq.

XS
SM
MD
LG