Lidhje

Filloi forumi i ekonomisë botërore (1 shkurt) - 2002-02-01


Dje në New York u hap pa ndonjë incident Forumi i Ekonomisë Botërore, ndërkohë që jashtë ndërtesës ku zhvillohej takimi, ishin vendosur një numër i madh forcash policore. Takimi 5-ditor i udhëheqësve kryesorë të biznesit, politikës dhe atyre fetarë që këtë vit po mbahet në hotelin Waldorf Astoria të New Yorkut, për 31 vjet me radhë është mbajtur në qendrën turistike dimërore Davos të Zvicrës. Këtë vit takimi po mbahet në New York, si shenjë solidariteti me qytetin, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Masat e forta të sigurisë janë vendosur kryesisht për shkak të shqetësimeve në lidhje me protestat kundër globalizimit të ekonomisë, që kanë krijuar incidente në një numër takimesh ndërkombëtare gjatë viteve të fundit. Ish-kryetari i Bashkisës së New Yorkut, Rudolph Giuliani thotë se qyteti tashmë u është përshtatur përballimit të kërcënimeve ndaj sigurisë së tij. "Departamenti i policisë dhe infrastruktura që ju shikoni këtu janë të tillë, që të sigurojnë mbarëvajtjen e takimeve të kësaj natyre dhe ju do ta shikoni vetë se ata e kryejnë punën me një nivel të veçantë profesionalizmi. Kështuqë unë pres që takimi të zhvillohet në mënyrë paqësore, por edhe në se nuk ndodh kështu, për çdo incident të mundshëm do të merren masa aq të menjëhershme, sa që as nuk do të mësohet rreth incidentit" tha zoti Giuliani. Ndësa disa njujorkezë i shqetëson shtimi i trafikut për shkak të konferencës, disa të tjerë presin një ndikim më pozitiv, qoftë edhe nga demonstruesit. "Mendoj se fakti që takimi po zhvillohet këtu, është diçka e mirë për ekonominë e qytetit, duke pasur parasysh se të gjithë protestuesit frekuentojnë hotelet dhe restorantet e qytetit. Pavarësisht nga kundërshtimi i tyre ndaj globalizimit dhe përparimit ekonomik, ata vetë po kontriubojnë për ekonominë, kështuqë këtu kemi të bëjmë me një lloj ironie", tha zoti Farfel. Shumica e demostruesve, deri tani, për një varg arsyesh, kanë qenë paqësorë. Por dje në mëngjes, policia bëri arrestimet e para në lidhje me forumin, duke i vënë prangat 7 personave, pjesëtarë të një organizate të Sidës, gjatë dy protestave që po zhvilloheshin njëkohësisht.

XS
SM
MD
LG