Lidhje

Fati i zotit Pearl  ende nuk dihet (2 shkurt) - 2002-02-01


Zyrtarë amerikanë thonë se janë skeptikë rreth një telefonimi, nëpërmjet të cilit kërkohet një shpërblesë prej 2 milion dollarësh për lirimin e gazetarit amerikan, Daniel Pearl, të rrëmbyr në Pakistan.

Policia pakistaneze është vënë në kërkim të korrespondentit të gazetës Wall Street Journal, i cili u rrëmbue javën e kaluar nga një grup shumë pak i njohur.

Rrjeti televiziv CNN citon zyrtarë amerikanë të kenë thënë se biseda telefonike me ambasadën amerikane në Islamabad u ndërpre para se personi që kishte telefonuar të thoshte se kur dhe ku të dërgoheshin paratë, duke lënë kështu të kuptohej se ajo ishte thejshtë një rreng.

Zyrtarë amerikanë thonë se personi që kishte telefonuar kërkoi edhe lirimin e ish ambasadorit taleban në Pakistan, Abdul Salam Zaeef.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë dhe pakistanezë po vazhdojnë përpjekjet të përcaktojnë vërtetësinë e një mesazhi të marrë dje nëpërmjet postës elektronike nga të paktën dy agjenci amerikane lajmesh, në të cilin thuhet se zoti Pearl është vrarë. Një zëdhënës i të përditshmes Wall Street Journal tha se drejtuesit e gazetës shpresojnë se pretendimet që zoti Pearl është vrarë, nuk janë të vërteta.

Duke vepruar në bazë të një njoftimi nën dorë, policia në qytetin Karaçi filloi dje kërkimin nëpër varreza, por nuk gjeti asnjë gjurmë të gazetarit të zhdukur.

Grupi që rrëmbeu zotin Pearl javën e kaluar, Lëvizja Kombëtare për Kthimin e Sovranitetit Pakistanez, më par i panjohur, ishte kërcënuar se do ta vriste atë ditën e djeshme.

XS
SM
MD
LG