Lidhje

Sharon takohet me zyrtarë palestinezë(2 shkurt) - 2002-02-02


Zyrtarë palestinezë të sigurimit thonë se helikopterë luftarakë izraelitë qëlluan me disa raketa selinë e policisë së marinës palsetineze në Rripin e Gazës.

Sulmi i sotëm izraelit në qytetin Dir Ballah, pason përleshjet që ndodhën disa orë më parë, në të njëjtën zonë, midis palestinezëve të armatosur dhe ushtarëve izraelitë. Të paktën një palestinez u plagos në ato përleshje.

Në një intervistë të botuar dje, kryeministri izraelit Ariel Sharon, paralajmëroi se kur të vizitojë Washingtonin javën e ardhshme, ai do t’i kërkojë presidentit Bush të ndërpresë të gjitha kontaktet me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat.

Në të njëjtën kohë, radio Izraeli njoftoi se zoti Sharon është takuar fshehurazi këtë javë me tre zyrtarë të lartë palestinezë, bisedimet e para të këtij lloji që nga viti i kaluar kur ai u bë kryeministër.

Duke cituar burime palestineze, radio Izraeli njofton se zoti Sharon e bëri të qartë gjatë takimit ditën e merkurë se trysnia izraelite ndaj zotit Arafat për të marrë masa kundër palestinezëve përgjegjës për dhunë ndaj Izraelit, do të intensifikohet.

Njoftimet bëjnë të ditur se tre palestginezët që u takuan me zotin Sharon, ishin kryetari i parlamentit Ahmed Kuray, zëvendësi i zotit Arafat, Mahmud Abbas, dhe këshilltari për çështje ekonomike, Muhamed Rashid. Asnjëra palë nuk ka komentuar zyrtarisht rreth këtyre bisedimeve. Mirëpo, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, i cili ishte dje në New York për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, citohet të ketë thënë se ai është shumë i kënaqur që zoti Sharon është takuar me zyrtarë palestinezë.

Zoti Powell pati një takim me ministrin e Jashtëm izraelit në New York, gjatë të cilit bëri thirrje për vazhdimin e dialogut si rrugë për zgjidhjen e konfliktit izraelito palestinez. Pritet që zoti Powell të takohet me zotin Kuray ditën e hënë në Washington.

XS
SM
MD
LG