Lidhje

Reagimet nga Kosova për gjykimin e Milosheviçit (12 shkurt) - 2002-02-12


Megjithë interesimin që po mbretëron për gjykimin që ka filluar në Hagë ndaj Sllobodan Millosheviçit, këshilli për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, është shprehur i pakenaqur se në aktakuzë me të cilën ngarkohet ish presidenti jugosllav nuk është përfshirë edhe akuza për gjenocid. Veprimtari shumë vjeçar i këtij këshilli, Zejnullah Gruda thote se kjo organizatë për të drejtat e njeriut ka të dhëna për rreth 12 mijë të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë ndërsa Millosheviçi akuzohet vetëm për 900 vrasje.

“Kjo është e vërtetë se vetëm gjatë vitit 1998, do me thënë para intervenimit, në kohën në të cilën autoritetet serbe dhe jugosllave trumbetonin si kohë normale që nuk ka kurfar trazira ose kurgjë e jashtëzakonshme në Kosovë, neve kemi pas mesatarisht për çdo ditë nga gjashtë shqiptarë të vrarë, kjo është mesatarja e tërë vitit 1998. Më pas numri i viktimave është shtuar në mënyrë jashtzaknshme, kështu që numri i përgjithshëm i viktimave sipas të dhënave të këshillit është afërsisht 12 mijë veta dhe për këto këshilli është në gjendje në çdo moment me dëshmu” thote zoti Gruda për të shtuar se që nga formimi i këshillit asnjë e dhënë e tij nuk është treguar si e pa sakte prandaj sipas tij është çështje e prokurorës dhe shërbimit të saj pse nuk janë përfshirë këto të dhëna, ku siç pohon ai pjesa më e madhe e viktimave të luftës janë civilë të cilët edhe gjatë konflikteve të armatosura gëzojnë mbrojtje.

“Ka kategori të ndryshme të përsonave sikurse që janë femrat, fëmijët gratë shtatzëna e tjera të cilat janë nën mbrojtje të veqant. Para fillimit të luftës kemi pas midisë viktimave plot pleq, gra, fëmijë prej të cilëve disa vetëm nga disa muaj të vjetër, si dhe gra shatëzëna sikurse që ka qenë rasti në Likoshan e Qirez, ku është masakruar gruaja në muajin e tetë të shtatzansisë” thekson Zoti Gruda duke nënvizuar se këshilli ka pritur që në aktakuzë kundër Millosheviçit dhe udhëheqësve të tjerë serb të akuzuar për krime lufte, midisë të tjerash të përfshihen edhe këto të dhëna.

Pas largimit nga Kosova forcat serbe lanë pas vetes të paktën 500 varreza masive nga një pjesë e të cilave hetuesit e gjykatës ndërkombëtare për krime lufte kanë zhvarrosur mbi 4 mijë trupa. Ndërkaq pjesa tjetër mbi 100 vendvarrime ende nuk janë hulumtuar nga ekspertët e mjeksisë ligjore. Forcat serbe me 10 qershor të vitit 1999 transferuan për në serbi mbi 2 mijë të burgosur shqiptar ku afro 200 prej tyra ende vazhdojnë të mbahen atje ndërsa mbi 3 mijë persona edhe më tej vazhdojnë të llogariten të zhdukur.

Përmasat e mizorive të forcave të drejtuara nga Sllobodan Millosheviq kanë bërë që fillimi i procesit gjyqësor kundër tij të përcilllet me interesim të madh në Kosovë. Mediumet vendore ato elektronike dhe të shkruara i kanë kushtuar një hapsirë të madhe fillimit të këtij procesi por edhe dëshmive të krimeve që kanë kryer forcat serbe gjatë konfliktit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG