Lidhje

Katër partitë shqiptare takohen me Trajkovskin (13 shkurt) - 2002-02-13


Takimi i sotëm te presidenti maqedonas Boris Trajkovski me katër përfaqësuesit e partive nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit, ka qenë konstruktiv. Kështu ishte ngarkuar nga presidenti Trajkovski të thoshte këshilltari i tij Stevo Pendarovski, ndërkohë që përfaqësuesit politik ishin marre vesh te mos komentonin.

Aty nuk erdhën kryetarët Arbën Xhaferi dhe Ymer Ymeri të dy partive shqiptare, por Menduh Thaçi e Abdylhadi Vejseli, nënkryetarët e tyre.

Bëhet e ditur se është diskutuar mbi zgjedhjet e parakohshme dhe mbi ligjet me përparësi që duhet miratuar më shpejtë. Në listën me përparësi mund të ketë pesë a gjashtë ligje, ndër to ai për amnistinë.

Për sa i përket zgjedhjeve, partitë më të mëdha nuk kanë afruar qëndrimet e tyre pwr modelin zgjedhor, por për këtë do të bisedohet edhe një herë në këtë nivel së shpejti.

Kërkesat për modelin zgjedhor janë si vijon: model i pastër proporcional, pastaj i përzier 60 deputetët me listë dhe 60 të tjerë të zgjedhen më sistemin e shumicës, dhe varianta tjetër: sistemi aktual.

I dërguari i BE Alain Le Roy, i cili ishte në ndërtesën e presidentit, por siç u tha pas takimit, nuk ishte i pranishëm në të, theksoi se data e zgjedhjeve të parakohshme duhet caktuar brenda javës së ardhëshme ose një javë më pas:

Ligjet kryesore dhe me përparësi mund të miratohen shumë shpejtë, tha zoti Le Roy, duke lënë të kuptohet se kjo mund të bëhej deri në fund të muajit mars.

Para takimit, Abdylhadi Vejslei i PPD tha se përbërja aktuale e Parlamentit duhej miratuar ligjet me prioritet. Kurse, Branko Cërvenkovski i LSD tha se zgjedhjet e parakohshme do të krijonin qëndrueshmëri në vend dhe sëkëndejmi do të ngriteshin institucione të dalura nga vullneti i popullit në zgjedhje.

Takimi i së mërkurës zgjati më shumë se tri orë. Të hënën përsëri do të ketë takim të ri. Në takimin e së hënës do të ftohen edhe ministrat e brendëshëm dhe të Drejtësisë, Lube Boshkovski dhe Ixhet Mehmeti. Këta dy ministra do të caktojnë datat e miratimit të ligjeve me prioritet.

XS
SM
MD
LG