Lidhje

Kalendari Historik 14 shkurt - 2002-02-15


Më 14 shkurt 1929, qyteti Çikago në Ilinois, u bë skenë e një krimi të rëndë që i dha këtij qyteti reputacion të keq gjatë kohës kur pijet alkoholike ishin te ndaluara me ligj. Bashkëpunëtorit e kriminelit, Al Capone vranë shtatë udhëheqës të bandës kundërshtare të George Bugs Moranit, në një betejë për kontrollin e tregtisë së jashtëligjshme të alkoholit që kapte një vlerë prej disa milion dollarësh. Për shkak se vrasja ndodhi të njejtën ditë kur edhe kremtohet dita e Shën Valentinit gazetat e Chicagos e quajtën vrasjen ”Masakra në Ditën e Shën Valentinit.” Bashkëpunëtorët e Al Capones ishin të veshur në rroba policësh dhe ishin futur në një depo ku klani Moran mbante ilegalisht makina, armë dhe pije. Të maskuarit si policë i pushkatuan anëtarët e klanit Moran. Më pas Capone u bë udhëheqësi numër një i aktiviteteve të jashtëligjshme që përfshinin bixhozin, prostitucionin dhe shitjen e jashtëligjshme të alkoholit në Chicago dhe qytet e afërta.

Më 14 shkurt 1894, në Waukegan të shtetit Ilinoi lindi humoristi i njohur Jack Benny. Në fillim ai u përpoq të bëhej violinist, mirëpo pa sukses, ndërkohë që zbuloi talentin e tij për komedi. Nëpër shfaqje estrade, ku ai fillimisht njihej si Ben K. Benny, dhe më pas edhe në radio dhe programe televizive si dhe filma, ai u ngrit si një karakter që ishte mendjemadh, vetjak, që nuk dinte të luante në violinë, dhe koprac. Në jetën e përditshme, Jack Benny ishte një njeri zemërgjerë. Atë e adhuronin shikuesit dhe kolegët e tij, për shkak të barcaletave të tij që ishin me vend dhe për shkak të gadishmërisë së tij për të lejuar të tjerët të tallen me të. Programet e Jack Bennyt ishin nga programet më të popullarizuara në radio dhe televizion. Pas mbarimit të programeve të tij të përjavshme në televizion më 1965, kur Benny tashmë ishte 70 vjeçar, ai vazhdoi të paraqitet nëpër klube e natës dhe në teatër si dhe nganjëherë në ndonjë program special televiziv. Jack Benny vdiq nga kanceri më 26 dhjetor të vitit 1974, në moshën 80 vjeçare.

XS
SM
MD
LG