Lidhje

Shqipëri, arrestohet ish-drejtori i KESH-it (16 shkurt) - 2002-02-16


Policia e kryeqytetit, pas kërkesës së prokurorisë, arrestoi sot ish-drejtorin e përgjithshëm të Korporatës Energjitike Shqiptare (KESH), Arben Kruja. Akuza lidhet me çështjen e tenderave të blerjes së energjisë nga ky institucion. Prokuroria shqipare po heton që prej disa javësh mbi këtë çështje dhe ka marrë në pyetje disa nga drejtuesit e lartë të korporatës energjitike.

Efektet e furtunës politike që mbërtheu muajt e fundit Partinë Socialiste në pushtet, duket se goditjen më të madhe po e japin në KESH. Për shkak të krizës së rëndë të energjisë këto dy vitet e fundit, ky institucion ka lëvizur fonde të konsiderueshme prej disa qindra milionë dollarësh për blerjen e rrymës elektrike. Këto blerje, janë realizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa garë publike, duke lënë kështu të hapur mundësi të mëdha abuzimi me fondet.

Pas akuzave të opozitës për shpërdorime, kryetari i partisë socaliste Fatos Nano sulmoi publikisht drejtuesit qeveritarë për përfitime me blerjet e energjisë. Pak javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet për këtë çështje.

Sot ish-drejtori i KESH-it, Arben Kruja, u mor me forcë nga policia e kryeqytetit. Prokuroria e ka cilësuar atë si të pandehur duke e akuzuar për abuzim me detyrën dhe shkeljen e barazisë në tendera. Veprimi i policisë u bë pasi zoti Kruja nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të prokurorisë për t’u paraqitur në seancat e marrjes në pyetje. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, Kruja akuzohet për periudhën në të cilën ai ka qenë drejtori i KESH-it, kur zëvendësoi zotin Dritan Prifti i cili u emërua Ministër i Energjitikës.

Zoti Kruja nuk është i pari që përfshihet në hetimet e kësaj çështjeje. Në pyetje po merren një grup i tërë drejtuesish të korporatës. I pari ka qenë drejtori i drejtorisë së prokurimeve. Prokurorët dyshojnë se gjatë viteve 2001, 2002 janë bërë blerje duke favorizuar firma të cilat kishin oferta më të larta se ato të tregut ndërkombëtar.

Hetimet ndaj KESH-it janë një pjesë e hetimeve të ndërmarra ndaj zyrtarëve shtetërorë. Prokuroria shqiptare ka hapur dosje edhe ndaj ministrisë së Financave, Drejtorisë së Shtypit të Kryeministrisë, tenderave të ministrisë së Mbrojtjes, si dhe atyre të ministrisë së Kulturës për fondet e restaurimit të fasadave të kompleksit të ministrive në kryeqytet.

Kjo fushatë nisi pas akuzave të kryetarit socialist Fatos Nano, të cilat çuan në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ilir Meta. Zoti Nano ka kërkuar me ngulm që qeveria e re socialiste të zhvillojë transparencë maksimale në përdorimin e fondeve publike. Edhe kryeministri Pandeli Majko, dje, pak përpara se të çonte te presidenti i republikës listën e ministrave të rinj, deklaroi për Zërin e Amerikës se synon që qeveria e tij të bëjë një proces ”të duarve të pastra”. Zoti Majko premtoi se ”drejtësisë do t’i hapen të gjitha dyert për të ndëshkuar të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.”

XS
SM
MD
LG