Lidhje

Kalendari Historik 23 shkurt - 2002-02-25


Më 23 shkurt të vitit 1836 ushtria meksikane filloi rrethimin e fortesës Alamo, në qytetin San Antonio, të provincës meksikane të Teksasit. Në dhjetor të një viti më parë, një numër banorësh të Teksasit, që kërkonin pavarësinë nga Meksika, pushtuan Alamon, fortesën e një ish-misioni katolik, që ishte kthyer në një qendër ushtarake. Përkrahës të kryengritësve, sikurse Davy Crockett dhe pasuesit e tij, të quajtur Djemt e Tenesit, si edhe aventurieri Jim Bowie, u bashkuan me kryengritësit e Teksasit në Alamo. Ata u rrethuan nga rreth 5 mijë trupa meksikane. Presidenti i Meksikës, gjenerali Antonio Lopez de Santa Anna, kërkoi dorëzimin e Alamos dhe deklaroi se do të dënonte me vdekje cilindo nga mbrojtësit që nuk dorëzoheshin. Mbrojtësit e Alamos, që nuk ishin më shumë se 185 veta, u bënë ballë sulmeve të përsëritura deri më 6 mars 1836. Kur më së fundi meksikanët kaluan muret e Alamos, teksanët luftuan trup me trup, derisa u vranë të gjithë, në bazë të ultimatumit të gjeneralit Santa Anna, për dorëzim ose vdekje.

Më 23 shkurt të vitit 1954, personeli mjekësor në Pittsburg të Pensilvanisë filloi vaksinimin e parë masiv të fëmijëve të shkollave me vaksinën kundër poliomelitit. Mijëra fëmijë në Pittsburg, si edhe në shtetin e Miçiganit, morën tri dozat e para të vaksinës. Më së fundi ne test morën pjesë rreth 2 milionë fëmijë amerikanë. Vaksina ishte përgatitur nga doktori Jonas Salk dhe grupi i tij i shkencëtarëve, në laboratorin e kërkimeve virusale në universitetin e Pittsburgut. Asnjë nga fëmijët që morën pjesë në vaksimin e parë masiv, nuk u sëmur nga poliomeliti. Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta të Georgias, njofton se, që nga viti 1979, në Shtetet e Bashkuara nuk është vënë re as edhe një rast i vetëm poliomeliti, shkaktuar nga një virus i gjallë. Të vetmet raste të sëmundjes kanë qenë shkaktuar si pasojë e reaksionit kundër vaksinës.

XS
SM
MD
LG