Lidhje

Nga gjyqi i Milloshevicit (1 mars) - 2002-03-01


Kundërshtarët e ish presidentit Millosheviç, të cilët kërkonin pavarësinë e Kosovës, ekzekutoheshin nga paramilitarët serbë, shpesh së bashku me familjet e tyre, dëshmoi në gjyq një dëshmitar. Ai është Halit Barani, veprimtar për të drejtat e njeriut. Zoti Barani, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraqiti në gjyq një urdhër ekzekutimi për 66 shqiptarë që me sa duket ishte lëshuar nga serbët në shkurt të vitit 1999. Dokumenti titullohej Lista e shqiptarëve që duhet të ekzekutohen dhe ishte nënshkruar e vulosur nga koloneli M. Markoviç, komandant i një njësie speciale. Zoti Barani, emri i të cilit përfshihej në listë, tha se listën e kishte gjetur një koleg i tij në ndërtesën e Bashkisë së Mitrovicës. ”Ramadan Kelmendi ishte nën-kryetar i LDK-së për Mitrovicën. Këtë dokument e mora prej tij nga fundi i qershorit, pas lufte. Ai tha se e kishte gjetur në ndërtesën e këshillit të Mitrovicës dhe aty përfshihen emrat e 66 personave që sipas serbëve duheshin ekzekutuar, thotë dëshmitari.” Ai dëshmoi gjithashtu se policë serbë me maska kishin hyrë në banesën e kryetarit rajonal të LDK-së dhe e kishin vrarë te pragu i shtëpisë. Barani, dëshmitari i nëntë në gjyqin e ish Presidentit Millosheviç, qendroi disa muaj i fshehur në Kosovë gjatë luftës. Ai foli para gjykatës për dëbimin nga serbët të mijra banorëve shqiptarë. Barani tha se gjatë karierës së tij politike, Barani tha se ishte ndaluar 76 herë nga policia serbe, asnjëherë më tepër se një ditë, dhe se ishte rrahur vazhdimisht. Ish presidenti Millosheviç përsëri i kërkoi gjykatës të lirohet përkohësisht për të patur mundësi të përgatitet më mirë për vetmbrojtjen e tij: ”Unë nuk i kam kushtet për t’u vetmbrojtur këtu. Nga ana tjetër ju e dini fare mirë se unë nuk mund të largohem dot nga ky vend i forcës dhe i padrejtësisë, ku po mbroj popullin dhe vendin tim, sepse këto janë akuzat më të rënda që mund të ngrihen,” tha zoti Millosheviç.

Por gjykatësi Richard May, që drejton seancat, e ndërpreu: ”Zoti Millosheviç, komentet tuaja politike nuk na impresionojnë. Ju i keni bërë ato shumë e shumë herë. Përsëritja nuk i përmirëson ato.” Ish Presidenti jugosllav mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor për ndonjërin prej 66 akuzave të ngritura kundër tij. Ndërkohë, dje në Prishtinë u sollën trupat e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë, Mehmet, Agron dhe Ylli Bytyçi, të gjetur në një varrezë masive në Serbi. Trupat u sollën për një ceremoni përkujtimore para se të dërgoheshin për në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Shtetit tha para pak ditësh se kërkon gjetjen e vrasësve të tyre, por shtoi se kjo do të jetë e vështirë. Ata u arrestuan nga policia serbe më 26 qershor 1999, afër kufirit të Kosovës me Serbinë, disa javë pas mbarimit të bombardimeve të Natos.

Rrethanat e vdekjes së tyre mbeten të paqarta, por nga disa njoftime të shtypit del se ata janë vrarë nga policia e zemëruar me rolin e Uashingtonit në bombardimet e Natos. Kjo është një tragjedi e pabesueshme. Unë mendoj, dhe e gjithë bota e di, se përgjegjësi i kësaj tragjedie është në Hagë, atje ku i takon të jetë, tha ish shefi i misionit verifikues në Kosovë, William Walker.

Ndërsa babai i tre vëllezërve Bytyçi tha: Si prind jam shumë i brengosur, por si shqiptar dhe si amerikan jam shumë krenar. Vëllezërit ishin pjestarë të batalionit Atlantiku, i përbërë nga rreth 400 shqiptaro-amerikanë, të cilët luftuan kundër serbëve krahas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas arrestimit, vëllezërit u akuzuan se kishin hyrë në Jugosllavi ilegalisht dhe u dënuan me 15 ditë burgim. Trupat e tyre u gjetën në qershor 2001 në një varrezë masive afër Petrovo-Sellos në Serbi.

XS
SM
MD
LG