Lidhje

Kalendari Historik 1 mars - 2002-03-01


Më 1 mars 1961 presidenti Xhon Kenedi nënshkroi një urdhër për krijimin e Korpusit të Paqes. Agjencia e re do të kishte tre qëllime kryesore: të ndihmonte njerëzit në vendet në zhvillim që të plotësonin nevojat e tyre për fuqi punëtore; të ndihmonte popujt të cilëve u shërbehej, për të njohur më mirë amerikanët; dhe t’i ndihmonte amerikanët të njihnin më mirë kulturat dhe popujt e vendeve të tjera. Presidenti Kenedi tha se shpresonte që nga 500 deri në 1 mijë amerikanë të kualifikuar do të shërbenin në Korpusin e Paqes jashtë vendit. Megjithatë mijëra studentë idealistë kolegjesh dolën vullnetarë. Në vitin e tij të parë, më 1961, Korpusi i Paqes dërgoi 900 veta në 16 vende. 5 vjet më vonë, më se 12 mijë vullnetarë shërbenin në 52 vende. Që nga vitit 1961 më se 155 mijë amerikanë kanë shërbyer në korpusin e Paqes në 134 vende. Aktualisht më se 7 mijë vullnetarë të Korpusit të Paqes shërbejnë në 77 vende.

Më 1 mars 1932 një krim në shtetin amerikan, Nju Xhërsi, tronditi gjithë Shtetet e Bashkuara. Ishte rrëmbyer fëmija Charles Lindbergh Junior, djali i Charles Lindbergut, pilotit që në vitin 1927 bëri fluturimin e parë i vetëm dhe pa ndalesa përmes Oqeanit Atlantik. Fëmija u rrëmbye nga banesa e familjes në Hopewell të shtetit New Jersey. Lindbergët vunë një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për djalin, por ai u gjet më vonë i vrarë. Një karpentier me origjinë gjermane, i quajtur Bruno Hauptman, u shpall fajtor për krimin dhe u ekzekutua. Akoma edhe sot disa vëzhgues dhe gazetarë thonë se zoti Hauptman nuk ishte vrasësi i vërtetë dhe se ai ishte viktimë e një hetimi të nxituar dhe e paragjykimeve kundër gjermanëve. Më 1935 Lindbergët u shpërngulën në Evropë, me sa thuhet për t’i shpëtuar publicitetit lidhur me vdekjen e djalit të tyre. Ata u kthyen në Shtetet e Bashkuara në vitin 1939. Zhurma rreth rastit të fëmijës së çiftit Lindberg, bëri që Kongresi të miratojë në vitin 1934 një Ligj për Luftën kundër Krimeve, i cili autorizon dënimin me vdekje për rrëmbyesit që i nxjerrin viktimat e tyre përtej kufijve shtetërorë.

XS
SM
MD
LG