Lidhje

Maqedoni: policia vret 7 persona (2 mars) - 2002-03-02


Ministri i brendshëm i Maqedonisë, Ljube Boshkovski, tha se policia hapi zjarr dhe vrau 7 burra që mendohet se po planifikonin sulme kundër disa ndërtesave dhe ambasadave në Shkup.

Policia bëri të ditur se personat në fjalë u vranë gjatë një shkëmbimi të shtënash sot paradite, kur po përpiqeshin t’i zinin pritë një patrulle të policisë jashtë kryeqyetit të Maqedonisë. Policia tha se nuk pati dëme në radhët e saj dhe se të gjithtë sulmuesit u vranë.

Zyrtarë të lartë të policisë i përshkruan sulmuesit si “terroristë muxhahedinë” dhe “të huaj” dhe thanë se dyshojnë që të paktën disa prej tyre ishin nga Pakistani. Policia tha se gjeti granada dore, armë zjari dhe raketahedhëse në mikrobuzin e tyre.

Një zyrtar i policisë tha se nga hetimet që iu bënë dy jordanezëve dhe dy boshnjakëve doli se ata janë të lidhur me një grup më të madh që ka bërë plane për të sulmuar ambasadat amerikane, britanike dhe gjermane në Shkup.

Zyrtarët perëndimorë thonë se janë shtuar së tepërmi masat e sigurimit në disa ambasada në kryeqytetin e Maqedonisë. Më shumë se 10 policië u panë të vendoseshin jashtë ambasadës amerikane në Shkup.

Përleshja e djeshme ishte incidenti më i rëndë në Maqedoni që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes në muajin gusht mes forcave shqiptare të sigurimit dhe kryengritësve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG