Lidhje

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën - 2002-03-05


Viti 2001 solli një ndryshim thelbësor për të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit, mbi të drejtat e njeriut në botë, thuhet se banorët e saj votuan në zgjedhjet e para demokratike të përgjithshme të cilat u zhvilluan në mënyrë paqësore. Ndërkohë, pavarësisht se tensionet ndëretnike, fetare dhe dhuna mbetën një problem serioz, gjendja pati përmirësim në krahasim me vitin 2000.

Gjatë vitit 2001, misioni i OKB-së në Kosovë, kreu funksionet administrative për Kosovën ndërsa forca paqeruajtëse e NATO-s, u mor me sigurimin e rendit. Por ndërkohë, nën drejtimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it u krijua trupa shumëkombëshe civile e policisë, si edhe trupa për mbrojtjen e Kosovës.

Probleme serioze të lidhura me tensionet ndëretnike vazhduan të ekzistojnë, shumë prej tyre të lidhura me trazirat në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Përdorimi i tepruar i forcës, ishte një problem gjatë arrestimeve. Gjithashtu, ka patur arrestime dhe ndalime arbitrare, si dhe urdhra arresti nga përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe KFOR, që i tejkalonin kompetencat e tyre ligjore.

Në raportin e Departamentit të Shtetit, thuhet se sistemi i drejtësisë ishte i paragjykuar dhe i ndikuar nga përkatësitë etnike. Dhuna, përfshirë përdhunimet dhe keqtrajtimet në familje, si edhe diskriminimi i grave vazhdoi të mbetej një problem serioz. Tensionet ndëretnike dhe dhuna fetare, dhuna ndaj pakicave rome, serbe, trafiku i grave dhe vajzave, vazhduan të përbëjnë probleme serioze në Kosovë, por të zbutura ndjeshëm në krahasim me vitet 1999 dhe 2000. Po ashtu numri i vogël vrasjeve dhe sulmeve vdekjeprurëse, që mendohet të kenë patur shtysa politike, u ul në krahasim me një vit më parë. 136 vetë u vranë nga qytetarët në vitin 2001, krahasuar me 245 që u vranë në vitin 2000. 92 prej tyre ishin shqiptarë, 30 serbë, 1 boshnjak, 6 romë dhe 7 persona të panjohur, ose të etnive të tjera. Disa serbë u sulmuan ose u vranë, ndërkohë që vazhdoi dhuna, përfshirë vrasje ndaj shqiptarëve. Sipas raportit, sistemet hetimore, gjyqësore dhe penale të Kosovës, arritën një sukses të kufizuar në identifikimin dhe ndëshkimin e personave që kishin ushtruar spastrim etnik dhe dhunë.

Disa politikanë shqiptarë u plagosën dhe të tjerë u kërcënuan me vdekje me anë të telefonatave, përfshirë Presidentin e sapozgjedhur të Kosovës, Ibrahim Rugova, në atë kohë udhëheqës i Lidhjes Demokratike.

Gjatë vitit 2001 nuk ka patur njoftime të konfirmuara për burgosje politike, por disa serbë të dënuar nga gjykatat e krimeve të luftës, e kanë shpallur veten të burgosur politikë. Në Mitrovicë, serbët në pjesën veriore të qytetit vazhduan të konfiskojnë tokat e shqiptarëve, ndërsa shiptarët në pjesën jugore të qytetit vazhduan të mos lejojnë serbët të hyjnë në pronat e tyre. Zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit gëzuan pjesëmarrjen e bashkësive etnike, nuk pati shumë tensione dhe pothuajse aspak akte të dhunshme.

Arsyet fetare dhe etnike për diskriminim janë aq të ndërthurura, saqë është tepër e vështirë të identifikohen se cilat prej tyre janë burimi. Megjithatë në raport thuhet se identiteti politik i të gjitha grupeve etnike është ndikuar fuqimisht nga feja dhe disa raste të diskriminimit ose të tensionit etnik, mund të kenë origjinë fetare.

XS
SM
MD
LG