Lidhje

Kthesë në plitikën izraelite (9 mars) - 2002-03-06


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një armëpushim me palestinezët, megjithëse nuk ka shenja paksimi në dhunën midis dy palëve.

Kryeministri Sharon i tha dje televizionit izraelit se bisedimet për të ndaluar luftimet do të zhvillohen nën zjarrin e armëve. Kjo deklareatë përbën një largim nga kërkesa e kahershme e zotit Sharon për një javë qetësie të plotë para fillimit të bisedimeve për aremëpushim.

Ky ndryshim ndodh në prag të vizitës së javës së ardhshme të të dërguarit amerikan, Anthony Zinni, i cili do të përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim midis palëve ndërluftuese. Gjeneral Zinni është përpjekur edhe dy herë të tjera, por pa sukses, për arritjen e një armëpushimi dhe ecjen drejt përtritjes së bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme.

Dje, forcat izraelite vranë të paktën 39 palestinezë në ditën më të përgjakshme të kryengritjes 17 mujore palestineze. Këto vrasje ndodhën pasi një palestinez vrau të enjtën 5 kolonë izralitë në një venbanim hebraik në Rripin e Gazës.

Forcat ajrore dhe tokësore izraelite kryen sulme në Bethlehem, në kampin Tulkarem të refugjatëve dhe në zona në afërsi të qytetit Hebron. Zyrtarë ushtarakë izraelitë thonë se arrestuan një numër të madh palestinezësh në Tulkarem, ku dje u vra edhe një ushtarë izraelit.

Operacione të tjera izraelite vunë në shënjestër Gazën qendrore dhe atë jugore. Në afërsi të Jeruzalemit, policia kufitare izraelite vrau një palestinez që mbante ngjeshur një rrip me lëndë plasëse.

Ndërkohë, zyrtarë palestinezë të zbulimit thonë se kanë arrestuar Maxhdi Rimauin, të dyshuarin e pestë dhe të funditr lidhur me vrasjen vitin e kaluar të një ministri izraelit. Izraeli kishte deklaruar se palestinezët duhet të arrestojnë të gjithë të dyshuarit lidhur me këtë vrasje para se të hiqej izolimi i plotë ndaj zotit Arafat.

Forcat izraelite e mbajnë zotin Arafat të izoluar në Rammallah të Bregut Perëndimor që nga fillimi i dhjetorit. Udhëheqësi palestinez ka bërë thirrje që të lejohet të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Lidhjes Arabe, muajin tjetër në Bejrut.

Presidenti Bush njoftoi ditën e enjte se po nis të dërguarin e posaçëm amerikan, Anthony Zinni, në rajon javën tjetër, në përpjekje për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Edhe ky vendim përbën një ndryshim nga qendrimi i mëparshëm i administratës amerikane për të mos dërguar zotin Zinni në Lindjen e Mesme para se të ndalohet dhuna.

XS
SM
MD
LG