Lidhje

Udhëheqësit palestinezë, mosbesim ndaj sugjerimit të Izraelit (9 mars) - 2002-03-09


Udhëheqësit palestinezë thonë se e shohin me mosbesim një sugjerim të Izraelit për rifillimin e bisedimeve për armëpushim, ndërsa luftimet mes Izraelit dhe palestinezëve vazhdojnë.

Një zëdhënës i udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat i tha Zërit të Amerikës se nëse propozimi i izraelitëve është serioz, ata duhet t’u japin menjëherë fund sulmeve të tyre.

Zoti Sharon e bëri këtë koment gjatë një interviste transmetuar dje në televizionin izraelit dhe kjo ishte hera e parë që ai nuk kërkonte një javë të plotë qetësie, para rifillimit të bisedimeve. Kryeministri shprehu vullnetin e e Izraelit për të diskutuar një plan armëpushimi, por thotë se nëse terrorizmi vazhdon, forcat izraelite do të vazhdojnë luftimet intensive.

Sulmet izraelite ndaj objektivave palestineze vazhduan sot me goditje raketash kundër ndërtesave qeveritare në qytetin e Gazës dhe në qytetin Nablus, të Bregut Perëndimor. Forcat izraelite kryen gjithashtu një operacion në Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Nuk ka njoftime për viktima.

Zyrtarët palestinezë thonë se udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Arafat foli dje me Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme amerikane për të ndalur përshkallëzimin e dhunës. Mbi 100 palestinezë dhe 35 izraelitë u vranë gjatë javës më të dhunshme që kur filluan luftimet mes Izraelit dhe palestinezëve, para 17 muajsh.

Zëvendëspresidenti, Cheney dhe i dërguari amerikan për paqen në Lindjen e Mesme, Anthony Zinni po përgatiten të bëjnë vizita të veçanta në rajon, për të punuar për t’i dhënë fund dhunës. Gjeneral Zinni është përpjekur dy herë pa sukses për të realizuar një armëpushim mes palëve.

Burimet izraelite thonë se edhe Kryeministri Sharon foli të premten me zotin Powell, duke e informuar sekretarin për vendimin për hedhjen poshtë të kërkesës për një javë qetësi.

XS
SM
MD
LG