Lidhje

BE kërkon garanci - 2002-03-13


Përpjekjet dhe objektivi i qeverisë shqiptare për të realizuar hapjen e bisedimeve për marrëveshjen e asocim stabilizimit me BE brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë ende në pikëpyetje. Kriza politike e mazhorancës së majtë nuk ka kaluar pa pasoja.

Nga pikëpamja teknike disa nga rekomandimet e BE mbetën pa u realizuar. Ndërsa nga pikëpamja politike duket se përfaqësuesit e lartë europianë janë në dilemë. Hezitimet e tyre kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme. Një ditë pas kthimit nga Brukseli, Ministrja e Jashtme Arta Dade tha se mesazhi i presidencës spanjolle të BE, i shprehur nga Ministri i Jashtem Piquet, është se edhe Shqipëria duhet të ndihmoje BE që të ndihmohet prej tij: “Mesazhi është i saktë, ka të bëjë me situatën e brendshme politike, me kapërcimin e një sërë problemesh të brendshme”, tha ministrja Dade.

Duket qartë se Brukseli kërkon garanci të plota për stabilitetin politik. Në Shqipëri kriza brenda mazhorancës ende është e ndezur. Dy grupimet brenda saj vazhdojnë të kërcënojnë njëra tjetrën me zgjedhje të parakohshme. Ndërsa një tjetër problem i madh dhe potencial krize është edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm në muajin qershor. Një zgjedhje që përkon pikërisht me momentin kur BE duhet të marrë vendimin për Shqipërinë. “Idea e përfaqësuesve të BE për stabilitet politik – saktësoi zonja Dade - ka të bëjë me eficencën e qeverisë që sapo ka marrë votbesimin në parlament. Ne u ndodhëm përpara një situate që vetë mazhoranca rrëzoi një qeveri brenda vetes, Atëherë kjo qeveri që ka marre mandatin do të vazhdoj të punojë? Do të cojë përpara reformat? Do të mbështetet nga mazhoranca? Dhe ne për këtë dhamë garanci” deklaroi Ministrja e Jashtme.

Diplomacisë shqiptare i duhet të rendë tani në kërkim të kohës së humbur. Ministra e jashtme ka programuar në javët e ardhshme një seri takimesh me homologet e saj të vendeve të BE, ndërsa administratës së këtushme i duhet të mbyllë të gjitha boshllëqet e lëna dhe të realizojë reformat e paplotësuara. Por mesa duket të gjitha këto përpjekje do të minoheshin shumë lehtë nga një mbajtja ende në këmbë e krizës politike brenda së majtës qeverisëse.

XS
SM
MD
LG