Lidhje

Kalendari Historik 14 mars - 2002-03-14


Më 14 mars 1964 një juri në Dallas të Teksasit e shpalli fajtor Jack Rubin për vrasje me qëllim të keq të Lee Harvey Oswald, që dyshohej të ishte vrasësi i presidentit John Kennedy. Juria rekomandoi dënimin me vdekje për Rubin. Mbrojtja nuk tentoi ta kundërshtonte akuzën që Rubi e qëlloi Oswaldin në katin përdhes të ndërtesës së bashkisë së Dallasit më 24 nëntor të vitit 1963, në kohën kur policia ishte duke e transferuar Oswaldin në një burg më të sigurt. Jack Ruby nguli këmbë se shkaku për vrasjen e Oswaldit ishte zemërimi për vrasjen e presidentit. Megjithatë avokatët e tij të mbrojtjes u përpoqën të provojnë se Ruby ishte i sëmurë mendor dhe rrjedhimisht i papërgjegjshëm ligjërisht për sjelljen e tij, kur vrau Oswaldin. Më 1966 një gjykatë apeli e ndryshoi vendimin e dhënë kundër Rubit dhe urdhëroi përsëritjen e gjyqit. Sidoqoftë Jack Ruby vdiq nga kanceri më 3 janar 1967, ndërsa priste përsëritjen e gjyqit.

Më 14 mars 1902, kumarxhiu dhe shefi legjendar i policisë, Bat Masterson iku nga qyteti Tombstone i Arizonës në qytetin e Nju Jorkut, për të filluar një jetë të re si redaktor sportiv. Atij i patën vënë nofkën Bat, sepse mbante një dajak të madh prej druri, që në anglisht quhet Bat, kur punonte si sherif në Dodge City të Kansasit dhe në Tombstone të Arizonës. Megjithatë ai e siguronte jetesën duke luajtur kumar në qytetet kufitare dhe në qytezat e minatorëve. Fama e tij u rrit për shkak të natyrës së tij dashamirëse, veshjes elegante, shkathtësisë në lojën me letra dhe saktësisë së pagabuar në qitje me armë zjarri. Ai u shkëput nga kjo pjesë e jetës së tij kur shkoi në Nju Jork dhe filloi të mbulojë rubrikën sportive të gazetës Morning Telegraph. Deri ditën që vdiq në Nju Jork më 1921 në moshën 68 vjeçare, Bat Masterson, konsiderohej si reporteri më i mirë sportiv i qytetit dhe eksperti më i mirë për boksin në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG