Lidhje

Intervistë me Michael Steiner - 2002-03-14


EB: Zoti Steiner, si i cilësoni bisedimet që zhvilluat me Sekretarin e Shtetit Colin Powell dhe me Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice?

MS: Më inkurajoi shumë fakti që Colin Powell dhe Condolezza Rice mbështesin plotësisht përpjekjet dhe planet tona për përparimin e Kosovës. Mendoj se këtu në Uashington e kuptojnë se përpjekjet që po ndërmerren kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme, pra që nëse fillohet diçka ajo duhet çuar deri në fund. Jam veçanërisht i kënaqur me faktin se si Colin Powell ashtu edhe Condolezza Rice mbështesin planet për privatizimin, shtimin e luftës kundër krimit të organizuar, si dhe planet për vendosjen e shtetit juridik në Kosovë.

EB: Zoti Steiner, cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe a mendoni se udhëheqësit e atjeshëm janë të aftë t’i përballojnë ato?

MS: Duhet të jemi të drejtë. Tani ne kemi një qeveri, një president, një kryeministër dhe ministra të cilët po fillojnë nga zeroja. Prandaj ata duhet të mësojnë. Ata bëjnë gabime dhe nuk ka se si të jetë ndryshe në këto rrethana, por ne duhet ti mbështesim ata. Tani kemi hyrë në fazën ku hap pas hapi mund të fillojmë transferimin e autoritetit nga UNMIK-u tek qeveria e përkohshme. Dhe ne do ta bëjmë këtë me sukses vetëm nëse kemi një mbështetje të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, të cilën ne e kemi. Dhe së dyti, po aq e rëndësishme, është se për vendosjen e shtetit juridik, të institucioneve të besueshme, për vënien në lëvizje të ekonomisë, ne kemi mbështetjen publikut, të vetë kosovarëve, të mjeteve të informimit, dhe kjo më inkurajon.

EB: Disa analistë i kanë vënë në pikëpyetje aftësitë e udhëheqësve të Kosovës për të qeverisur në mënyrë demokratike, duke patur parasysh zvarritjet në krijimin e institucioneve të reja dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis. Cili është mendimi juaj?

MS: Përsëri duhet të them, nuk duhet të presim shumë dhe menjëherë. Në Kosovë po fillohet nga zeroja, këto ishin votimet e para dhe hera e parë që u krijua një qeveri e tillë, prandaj nuk do të habitesha shumë nëse do të kërkohet më shumë kohë. U desh kohë për krijimin e qeverisë por më në fund ajo u krijua. Mendoj se tani duhet ta çojmë më tej punën tonë. Gjithashtu mendoj se tani kemi hyrë në fazën ku duhet të shohim përtej Kosovës, të shohim tek fqinjët e saj, të shohim se çfarë po ndodh në Maqedoni, në Mal të Zi, si dhe në Beograd, sepse kjo është e rëndësishme edhe për Kosovën. Kemi nevojë që të vendosim dialogun me Beogradin, sepse askush nuk jeton i izoluar.

EB: Dhe, kush duhet ta fillojë këtë dialog, ju personalisht apo udhëheqësit e rinj shqiptarë të Kosovës, kryeministri, presidenti,

MS: Mendoj se në fund të fundit, të gjithë do të na duhet të marrin pjesë në dialog. Sigurisht që unë do të flas me Beogradin, sepse më duhet të arrij objektiva të caktuara. Për mua do të ishte gjëja më e gabuar sikur të mos flisja me Beogradin. Por problemi nuk qendron këtu. Problemi është se si do të bëhet kjo, pra që të garantojmë se këto bisedime nuk do të minojnë autoritetin tonë në Kosovë. Pra ne do të vazhdojmë të mbajmë qëndrimin se strukturat e dyfishta, strukturat paralele nuk do të lejohen, se gjendja në veri të Kosovës duhet përmirësuar. Por për ti realizuar këto është e nevojshme të zhvillohen bisedime. S’ka asnjë dyshim që unë do ta vazhdoj këtë proces dhe nuk do t’i largohem këtij dialogu.

EB; Ju përmendët pak më parë çështjen e transferimit të kompetencave. A mund të flitet për një transferim kompetencash drejt autoriteteteve vetqeverisëse kur mungon një strategji për të ardhmen e Kosovës. Siç e dini, shumica e shqiptarëve kërkojnë pavarësi.

MS: Mendoj se ato për të cilët shqiptarët me të vërtetë këmbëngulin janë gjërat që prekin drejtëpërdrejtë jetën e tyre, si për shembull siguria. Kjo është gjëja më e rëndësishme për kosovarët. Ata nuk duan kurrsesi që e shkuara të kthehet përsëri. Ata kërkojnë që të sigurohen se nuk do të qeverisen përsëri nga Beogradi si në të kaluarën. Kjo është e kuptueshme, dhe ne duhet tua japim atyre këtë siguri. Ne duhet tu themi atyre që të mos shqetësohen, se ajo çka ka ndodhur në të kaluarën nuk do të ndodhë përsëri. Gjithashtu ata duan punë. Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atëhere duhet që tu çelim perspektiva pra të hapim më shumë vende pune. Kjo kërkon kohë dhe nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet që të fillojmë të punojmë në këtë drejtim. Prandaj kemi nevojë për investime, dhe për këtë duhet të fillojmë procesin e privatizimit, dhe kjo është një nga çështjet ku unë do të këmbëngul. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por shpresoj që ta fillojmë.

EB: Si i shikoni marrëdhëniet në rritje midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. A jeni ju për marrëdhënie më të ngushta midis tyre, apo e shikoni këtë me shqetësim?

MS: Unë nuk kam asnjë lloj problemi ndaj forcimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë. Ndryshim kufijsh nuk do të ketë dhe kjo është mëse e qartë. Pra kushdo që e ëndërron atë, duhet të ëndërrojë atë pa mua. Sidoqoftë, asgjë nuk e pengon forcimin e lidhjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ato janë plotësisht të natyrshme, dhe të dyja palët mund të përfitojnë nga kjo. Pra nuk kemi pse të frikësohemi nga kjo.

XS
SM
MD
LG