Lidhje

Zinni: kontaktet e para ngjallin shpresa(16 mars) - 2002-03-16


I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Anthony Zinni, tha se po zhvillon bisedime pozitive me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, në përpjekjet për armëpushim

Gjenerali pensionist e bëri këtë koment pas takimit të djeshëm me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, në Ramallah të Bregut Perëndimor. Zoti Zinni tha se është inkurajuar nga takimet me të dyja palët. Ai tha se të gjitha takimet kanë qenë pozitive dhe se të gjithë janë të angazhuar ta kapërcendjen e tanishme.

Në Washington, Departamenti i Shtetit u shpreh se duke tërhequr forcat nga Ramallah dhe qytete të tjera palestineze, Izraeli ka ndërmarrë hapa pozitive. Zëdhnësi Richard Boucher tha se Washingtoni pret që Izraeli të tërhiqet nga të gjitha zonat nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, për të lehtësuar përpjekjet e zotit Zinni.

Edhe presidenti Bush e mirëpriti tërheqjen izraelite dhe tha se ka shpresë që misioni i gjeneral Zinnit të çojë në arritjen e armëpushimit.

Izraeli i tërhoqi tanket e tij nga qytetet Ramallah, Kalkilja dhe Tulkarem dje, por forcat e tij ende i mbajnë këto zona të rrethuara si edhe zona të tjera që pushtuan gjatë kësaj jave. Banorë të qytetit Ramallah dolën nga shtëpitë e tyre për të vlerësuar shkatërrimet e shkaktuara gjatë inkursionit tri ditësh. Palestinezët kanë thënë se nuk do të hyjnë në bisedime për armëpushim derisa forcat izraelite të tërhiqen nga të gjitha qytetet dhe fshatrat palestineze.

Të paktën 4 palestinezë u vranë dje në përleshje me ushtarë izraelitë.

XS
SM
MD
LG