Lidhje

Cheney takohet me udhëheqësit sauditë - 2002-03-16


Nënpresidenti amerikan, Richard Cheney, u takua dje me zyrtarë të lartë sauditë, përfshirë sundimtarin de fakto, princin trashëgimtar Abdullah, për diskutime rreth krizës në Lindjen e Mesme dhe fazës së dytë të luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit.

Nuk pritej që hollësitë e bisedimeve të djeshme në Xhedah të bëheshin të ditura deri sot, kur nënpresidenti Cheney të udhëtojë për në Bahrein, ndalesa e tij e ardhme e turneut nëpër 11 vende të Lindjes së Mesme.

Mirëpo, siç ka ndodhur gjatë ndalesave të tjera të udhëtimit të zotit Cheney, nuk pritej që në Arabinë Saudite të arrihej ndonjë marrëveshje rreth mënyrës se si duhet vepruar me Irakun.

Princi Abdullah kundërshton me forcë kërcënimet amerikane për ta zgjeruar fushatën kundër terrorit në Irak, duke thënë se do të ishte e dëmëshme për Shtetet e Bashkuara, për Lindjen e Mesme dhe gjithë botën. Udhëheqësi saudit thotë gjithashtu se ai nuk mendon se një veprim i tillë do të çonte në përmbysjen e presidentit irakian, Sadam Husein.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se kërkojnë që Saddam Husseini të largohet nga pushteti, duke argumentuar se ai po përpiqet të sigurojë apo të ndërtojë armë të shkatërrimit në masë, që mund të kërcënojnë lirinë botërore.

XS
SM
MD
LG