Lidhje

1 palestinez vret 1 izraelit dhe plagos 10 të tjerë - 2002-03-17


Izraeli bën të ditur se një palestinez i armatosur u godit dhe u vra nga policia, pasi ai hapi zjarr kundër një grupi kalimtarësh në veri të Tel Avivit. Rezultat i sulmit në Kfar Saba ishte një izraelit i vrarë dhe, të paktën, 10 të tjerë të plagosur.

Disa orë më vonë, Izraeli bëri të ditur se një palestinez që tentoi të kryente një sulm vetëvrasës, u vra pasi aktivizoi eksplozivin pranë një stacioni autobuzi në një lagje hebraike në Jeruzalemin Lindor. Sipas njoftimeve nuk pati të plagosur rëndë në këtë incident.

Në zona të tjera të rajonit, tanket izraelite njoftohet se janë tërhequr në periferi të qytetit Ramallah të Bregut Prëndimor, pas shkëmbimit të të shtënave për disa orë me ekstremistët palestinezë në qendër të qytetit. Izraeli thotë se një anëtar i organizatës radikale palestienze, Brigadat e Martirëve Al-Aqsa u vra në këtë incident.

Këto veprime të reja dhune ndodhin ndërkohë që i dërguari amerikan, Anthony Zinni, vazhdon përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje. Gjeneral Zinni ka në plan të takohet për të dytën ditë me radhë me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat. Zoti Zinni u takua dje veçazi me zotin Arafat dhe me kryeministrin izraelit, Ariel Sharon, por nuk ka njoftime se u arrit ndonjë përparim drejt një marrëveshjeje armëpushimi.

Rreth 60 izraelitë dhe rreth 200 palestinezë janë vrarë në përleshjet e këtij muaji.

XS
SM
MD
LG